Republika e Kosoves

Viti

Në Viti u mbajt Konferenca shkencore “ Shkolla shqipe në hapësirat shqiptare përgjatë shekujve XVI-XX

2019/02/05 - 4:19

Një konferencë shkencore për shkollën shqipe, ka tubuar sot në Viti, akademikë, profesor e studiues të fushës së letërsisë, si dhe punëtor arsimor e të pranishëm të tjerë, me temë “Shkolla shqipe në hapësirat shqiptare në shekujt XVI-XX”, që për qëllim kishte krijimin  dhe forcimin e  lidhjeve mes aspektit teorik dhe kërkimor të shkollave shqipe gjatë shekullit XVI-XX.  Arsyeja e mbajtjes së kësaj konference, nga të pranishmit u tha se komuna e Vitisë është burim i shkollave të para shqipe në Kosovë me Shkollën shqipe në Stubëll të Epërme me mësuesin Dom Mikel Tarabolluzin dhe Shkolla shqipe në Pozheran me mësuesin Sylejman Syla (Molla Syla) nga Tërpeza. Të pranishmit e kësaj konference, në emër të Institucioneve komunale i përshëndeti zv.kryetari I komunës Hasan Aliu, i cili mes tjerash u shpreh se Vitia si komunë dhe ne si qytetarë të saj, mburremi që jemi vatër e arsimit, kulturës dhe traditave ndër shekullore sa i përket formimit dhe zanafillave të shkollave  të para shqipe në Kosovë. “Ne si institucione komunale, si dhe për shtetin e Kosovës, në vazhdimësi jemi angazhuar për të krijuar një kulturë qeverisëse për ruajtjen, përkrahjen afirmimin dhe promovimin e zanafillave  të themelimit të shkollave të para shqipe në Kosovë. Institucionet komunale janë zotuar gjithnjë në shërbim të përhapjes së kulturës, si armë e fuqishme, që të ecim dinjitetshëm kah përparimi dhe suksesi i gjithmbarshëm. Prandaj, përgëzoi akademikët, profesorët dhe  organizatorët e kësaj konference shkencore, me shpresë se përmes kësaj,  të shpalosen edhe shumë të pathëna për historinë e shkollave dhe arsimit shqip, në komunën e Vitisë”, u shpreh Aliu. Me kumtesa në këtë konferencë u paraqitën Akademik Mehmet Halimi, Prof.dr Isak Shema me kumtesën për periodizimin e zhvillimit të arsimit shqip ndër shekuj, prof.dr. Nezir Bata me kumtesën për Institucionet arsimore në periudhën e perandorisë osmane, mandej prof. dr. Mark Palnikaj nga Shqipëria,  prof.dr. Avzi Mustafa nga Maqedonia, prof.dr. Rovena Vata, prof.dr Daut Bislimi, prof.Nikollë Loka, Phd.kandidat Sarë Gjergji dhe Mr.sc Adem Murati.