Republika e Kosoves

Viti

Nisin punimet në rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës Kllokot-Gjilan

2020/10/12 - 1:30

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar edhe nga ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi dhe zv.ministrja e MAPL-së Fatbardha Emini, kanë qëndruar sot paradite në Viti, ku u prit nga kryetari i komunës Sokol Haliti me bashkëpunëtor. Qëllimi i kësaj vizite, ishte fillimi i realizimit të projektit të aksit rrugor Kllokot-Gjilan, ku parashihet rehabilitimi dhe zgjerimi i kësaj rruge që lidh komunat e rajonit të lindjes. Gjatë takimit me qeverinë komunale, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe udhëheqës të komunës së Kllokotit, kryeministri Hoti është njoftuar nga i pari i komunës me aktivitetet komunale, projektet e realizuara, menaxhimin me pandeminë në komunën e Vitisë, me që rast edhe i dorëzoi një raport të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, rreth situatës me Covid 19. Ndër tjerash, kryetari Haliti, ka falenderuar kryeministrin dhe ministrat për përkushtimin që kanë në realizimin e projekteve në komunën e Vitisë, kurse rreth projektit të rrugës Klloko-Gjilanit, që nisin punimet sot, ka theksuar se është projekt mjaftë i rëndësishëm dhe lehtëson qarkullimin e komunave jo vetem të Vitisë, por edhe atyre të Kllokotit, Parteshit, Gjilanit, Ferizajt etj. Kryeministri Avdullah Hoti, fillimisht ka përgëzuar udhëheqjen komunale për menaxhimin e situatës me Covid 19, pasi siç u shpreh ai, Vitia ka qenë e para që është ballafaquar me rastin e parë. “Megjithësë e kemi situatën nën kontroll, duhet të kemi kujdes që të respektojm masat në mënyrë që të parandalojm përhapjen e mundshme, pasi që dy javët e ardhshme mund të jenë jo të mira që të kemi rritje të numrit”, tha kryeministri Hoti. Ndër të tjerash, ai ka përmendur edhe procesin e finalizimit të buxhetit për vitin 2021, ku javën që vjen mund të prezantohet edhe pasqyra e investimeve kapitale me përfshirjen e kërkesave dhe nevojave të komunave. Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka ripërsëritur kërkesën e kyçjes në autostradë në Gërlicë, të cilën e paraqiti si shqetësim të kahmotshëm të banorëve të kësaj zone. Gjithashtu, ka theksuar se rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugës Kllokot-Sojevë, është nevojë e gjitha komunave të rajonit të lindjes, ndërkohë që ka potencuar edhe finalizimin sa më të shpejt të projektit të Zonës ekonomike në Budrikë, që ka rëndësi të madhe për sektorin e tregtisë për tërë regjionin e Anamoravës. Kryeministri Hoti, rreth kyçjes në Gërlicë, tha se bashke me ministrin e Infrastrukturës, do të bëjmë përgatitjen e nevojshme në mënyrë që ky projekt shumë i nevojshëm për qytetarët e këtij regjioni, të përfundoj sa më parë. “Kyçja në Gërlicë do të kryhet në Qeverinë tonë, sepse ne kemi marr vendim në vitin 2017, megjithëse nuk është bërë progres në atë drejtim, por kjo do të nis të finalizohet në vitin e ardhshëm. Sot do të nisim një aks rrugor shumë të rëndësishëm, për të cilin projekt kemi marr vendim qysh në vitin 2016/2017 në qeverinë Mustafa, dhe unë sot, jam këtu që të fillojm këtë projekt, që lidh komunën e Kllokotit ,e qytetin e Gjilanit, por edhe të rishikojm mundësit për realizim të projekti që lidh Kllokotin me komunën e Ferizajt, përkatësisht në Sojevë ku edhe është kyçja në autostradë”, ka thënë kryeministri Hoti.