Republika e Kosoves

Viti

U përurua ambulanta e fshatit në Skifteraj

2018/12/31 - 4:31

Në Skifteraj të Vitisë, sot është përuruar objekti i ambulantes së fshatit, projekt ky që është realizuar me kontributin e bashkatdhetarëve në bashkëfinancim edhe të Institucioneve komunale. Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë  Familjare në Viti  Vjollca Kadolli, ka theksuar se  përurimi i ambulantes në Skifteraj, do të jetë një lehtësim për pacientët e këtij lokaliteti, por edhe atyre që jeton përreth. Ajo ka bërë të ditur se krahas shërbimeve që do tu ofrohen banorëve nga infermierja, gjithashtu që nga java e ardhshme do të fillohet me asistencë mjekësore nga mjeku, një herë në javë. Kurse kryetari i komunës Sokol Haliti,është shprehur se jo rastësisht është lënë përurimi i ambulantes mu në ditën e fundit të vitit, ngase kjo simbolizon se po përmbyllim një vit të mbarë të aktiviteteve në mirëqenien shëndetësore në komunën e Vitisë. “Ky projekt është finalizuar fal bashkëpunimit, bashkëveprimit dhe bashkëfinancimit me mërgatën. Mërgata gjithnjë na del  ne krah kur kemi nevojë për përkrahje, andaj falënderoj për  gatishmërinë dhe humanitetin që po japin në vazhdimësi”, tha kryetari Haliti. Ndërsa drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Basri Aliu, ka thënë se ky objekt i bukur i ambulantes,  do të jetë në shërbimin tuaj dhe do të keni mundësit që për disa shërbime ti kryeni këtu në këtë punkt. “Ky përkushtim i mërgatës, është një dëshmi se ata përkundër që jetojnë larg, nuk harrojnë vendlindjen por edhe shëndetin e banorëve të saj”, tha Aliu. Me rastin e përurimit të ambulantes së fshatit Skifteraj, u shtrua edhe një koktej në ambientet e shkollës fillore, ku kryetari i këshillit të fshatit Demush Sadiku edhe ka paraqitur një pasqyrë të investimeve nga ana e mërgimtarëve të Skifterajt, si dhe ka falënderuar Institucionet dhe organizatat e ndryshme që kanë investuar në këtë lokalitet për gjatë vitit 2018.