Republika e Kosoves

Viti

Vitia po ju kthehet ngadalë përditshmërisë por pa larguar vëmendjen nga pandemia

2020/05/11 - 11:11

Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) në Viti ka mbajtur sot mbledhje të rregullt edhe pse në komunën e Vitisë të gjithë qytetarët që ishin prekur me këtë virus pandemik COVID-19 janë shëruar dhe nuk ka më raste të qytetarëve vitias të prekur me këtë virus. Megjithatë kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtij takimi tha se kjo komunë po vazhdon me masa parandaluese me qëllim që ky virus të mos përhapët përsëri. “ Fatmirësisht nuk kemi raste të reja të qytetarëve tanë të prekur me koronaviurs, uroj që kjo të mbetet e tillë. Megjithatë ne do të vazhdojmë me masa parandaluese që në të ardhmen të ju kthehemi ngadalë dhe sigurte përditshmërisë. Gjithashtu lusim qytetarët tanë që të respektojnë udhëzimet e ekspertëve”, u shpreh Kryetari Haliti. Ndërkaq Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili bëri me dije se policia në Viti akoma është duke respektuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e vatrave të përhapjes së infeksionit dhe atë deri sa ta marrin një vendim tjetër nga niveli qendror. Përndryshe edhe sot gjatë ditës Njësia Profesionale e Zjarrfikëseve dhe Shpëtimit (NJPZSH) në qytetin e Vitisë, ka bërë pastrimin dhe klorifikimin e rrugëve dhe shesheve.