Republika e Kosoves

Vushtrri

20 familje do të përfitojnë grante nga 2500 euro

2021/04/07 - 5:50

Komuna e Vushtrrisë do të ndihmojë 20 familje me gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike, e cila ndihmë do të bëhet në formë të granteve.

Kështu ka bërë të ditur kreu i Komunës së Vushtrrisë, i cili ka shtuar se këto familje do të përfitojnë nga 2500 euro secila, që do të jetë bashkëfinancim me Ministrinë e Jashtme Gjermane përmes German Cooperation.

“Komuna e Vushtrrisë dhe Organizata Ndërkombëtare Humanitare “Arbeiter –Samariter-Bund Deutchland-ASB, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për përkrahjen me grante në vlerë 2500€, 20 familjeve që janë në gjendje të rende socio- ekonomike. Qëllimi i këtij projektit është të mbështesë familjet në nevojë të komunës për krijimin e kushteve më të mira për fillimin e biznesit të vogël familjar”, ka shkruar Xhafer Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.

“Synimi është që përmes këtij projekti të ndihmohen këto familje që të dalin nga skema sociale dhe nga varfëria ku përmes përfitimit të granteve njëkohësisht të kenë mundësi të punësohen dhe të krijojnë të hyra materiale për vetën. Projekti do të vazhdojë deri në fund të vitit dhe familjet që do të jenë përfituese të grantit do të përkrahen edhe me trajnime për udhëheqje të biznesit”, ka shtuar më tutje ai në shkrimin e tij.