Republika e Kosoves

Vushtrri

Hasan Prishtina u vlerësua lartë në Sesionin shkencor ku morën pjesë studiues të shumtë

2018/08/08 - 3:14

Studiues të shumtë të historisë, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të institucioneve, si dhe familjarë të personaliteteve emblematike që dhanë për Kombin shqiptar, sot kanë marrë pjesë në sesionin shkencor që është mbajtur për patriotin e madh kombëtar Hasan Prishtinën, në 85 vjetorin e vrasjes së tij.

Ky sesion shkencor po mbahet në kuadër të manifestimit tradicional, ‘Ditët e Hasan Prishtinës’ e cila për një javë rresht po zhvillon aktivitete të shumta në mbështetje nga Komuna e Vushtrrisë.

Nga kumtesat e studiuesve të shumtë, profesori Ibrahim Berisha ka thënë se Hasan Prishtina ishte i pari që i artikuloi kërkesat për Pavarësi të Shqipërisë. ‘Fillimisht Lëvizja shqiptare kishte nisur kryengritjen për autonomi nga Turqia, por në korrik të vitit 1912 gjërat kishin ndryshuar aq shumë në terren ku ishin çliruar shumë qytete, sa që Hasan Prishtina ishte ai që kishte artikuluar kërkesat për Pavarësinë e Shqipërisë, ka thënë profesori Gashi.

Ndërsa profesori Jusuf Osmani, ka folur më për Masakrën që forcat serbe bënë me 10 shkurt të vitit 1924 në fshatin Zagori të Vushtrrisë, ku u bë terror i paparë për kohën ndaj familjeve në përpjekje për shuarjen e kryengritësve të udhëhequr nga Mehmet Konjuhi. ‘Hasan Prishtina ishte ai që njoftoi opinionin dhe diplomacinë botërore  për këtë ngjarje të tmerrshme.

Në këtë sesion shkencor të përgatitur nga historianët Zahir Kastrati, Jeton Sallahu dhe Izet Miftari, kanë folur edhe shumë studiues tjerë.

Ndërsa në hapje të këtij sesioni shkencor, kryetari i Komunës Xhafer Tahiri ka vlerësuar lartë atdhetarin e patriotin e madh Hasan Prishtina, bir i qytetit të Vushtrrisë.

“Sot kur Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, kujtimi për veprën patriotike të Hasan Prishtinës, nuk është kundërshtim i ndonjë figure tjetër historike, sepse kjo nuk është detyrë e jona, por ky kujtim sot këtu na shërben si inspirim për të vazhduar rrugën e patriotëve të mëdhenj për ta mbrojtur Kosovë, atdheun tonë të dashur nga kundërshtarët e brendshëm dhe nga armiqtë e jashtëm. Prandaj Forcimi i shtetësisë së Kosovës, ndërtimi i një shteti të drejtë e të barabartë në mendimin tim, nënkupton realizimin e idealeve të patriotëve e atdhetarëve që dhanë jetën për lirinë e popullit tonë.

Sot Vushtrria, Kosova e populli shqiptar ndjehet krenar me birin e tyre, emrin e të cilit me krenari e mbanë Universiteti i Prishtinës, sepse jeta dhe vepra e tij patriotike janë burim inspirimi. Qyteti e qytetarët e Vushtrrisë përjetë do ta nderojnë birin e tyre më të mirë, Hasan Prishtina”, ka thënë kryetari i komunës, Xhafer Tahiri.

 

Po ashtu gjatë këtij sesioni kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka ndarë solemnisht ‘Çmimin Hasan Prishtina’,  për Heroin e Kosovës Enver Zymberi, çmimin e ka pranuar babi i heroit.