Republika e Kosoves

Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë dhe Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojnë 25 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale

2019/02/01 - 11:53

Komuna e Vushtrrisë dhe Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojnë 25 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe që janë pa strehim në Komunën e Vushtrrisë.

Për këtë qëllim Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri dhe humanisti Halil Kastrati nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit. Për 22 shtëpi Komuna e Vushtrrisë do të participoj me shumën prej 5000 Euro, 2 shtëpi do të dhurohen nga Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” ndërsa pjesa tjetër e mjeteve financiare do të sigurohet nga Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit”. Komuna e Vushtrrisë është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndajë një tokë komunale në mënyrë që të gjitha shtëpitë të ndërtohen në një lokacion.

Këtij aktiviteti humanitar i është bashkuar edhe kompania “FITIMI” me pronar Halil Jonuzi nga Vushtrria që do të ndërtojë me mjetet e saja 1 shtëpi.

Kryetari Tahiri me këtë rast ka deklaruar që humanisti Halil Kastrati po bënë një punë të jashtëzakonshme në ndihmë familjeve në nevojë. Prandaj në emër timin dhe të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë dua të shprehë mirënjohjen e falënderimet më të larta për humanistin Halil Kastrati dhe të gjithë ata që po ndihmojnë Shoqatën Humanitare “Jetimat e Ballkanit” në këtë mision fisnik. Vetëm në vitin 2018, Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” ka ndihmuar me shtëpi dhe banesa 13 familje në Vushtrri, gjithnjë duke i bashkërenduar këto aktivitete humanitare me Komunën e Vushtrrisë.

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë do të themelojë një Komision bashkë me Shoqatën Humanitare “Jetimat e Ballkanit” që do të përzgjedhin familjet përfituese.