Republika e Kosoves

Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë marrëveshje me Ministrinë e mjedisit, ‘Coca Cola’ dhe GAC në projektin për ruajtjen e mjedisit

2019/03/18 - 4:21

Komuna e Vushtrrisë sot ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me Green Art Center dhe me ‘Coca Cola HBC Kosova’ për projektin ‘Ruje, mos e gjuj’,  i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e sistemit të duhur për menaxhimin e mbeturinave dhe riciklimit në Vushtrri dhe në tri lokacione tjera.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen një sërë aktivitetesh me qëllim që të mblidhen dhe riciklohen shishet e plastikës si dhe kanaçet.

E ky projekt u lansua pikërisht sot, në ditën botërore të Riciklimit, projekt ky i cili do të implementohet prej këtij muaji e deri në nëntor të vitit 2019.

Komuna e Vushtrrisë është një nga partnerët kryesor ku do të implementohet projekti.

Kyetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se qyteti i Vushtrrisë po bëhet lider për ndarjen e mbeturinave në burim. ‘Një prej detyrave tona themelore është që perveç se të lëmë një vend e një shtet të mirë, të lëmë edhe një ambient të pastër për gjeneratat që vijnë pas nesh’, tha Tahiri.

Ai, ka falënderuar korporatën Coca-Cola HBC Kosova, për angazhimin në këtë projekt dhe ka ftuar edhe korporatat tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.

Nga ana tjetër, drejtoresha ekzekutive e GAC-it, Merlina Beu-Muçaj me rastin e lansimit të kësaj kampanje tha se sot po lansohet kampanja që i bashkëngjitet të gjitha aktiviteteteve të GAC-it në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe që do të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes qytetare për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim.

“Ky projekt nën moton ‘Ruje, mos e gjuj’, e jep vetëvetiu mesazhin për rëndësinë e riciklimit, si vlerë ekonomike të asaj që në jetën e përditshme i quajmë mbeturina”, tha Beu-Muçaj derisa po lansohej kjo kampanj

E gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit, drejtori ekzekutiv i Coca Cola HBC Kosova, Neritan Tira, potencoi se nuk është e lehtë të punosh për të krijuar një botë pa mbeturina. “Prandaj, për këtë duhet të angazhohemi të gjithë, që do të thotë se kompanitë duhet të jenë të përgjegjshme duke siguruar që ambalanzhimi i tyre të jetë i riciklueshëm, edhe njerëzit duhet të bëjnë pjesën e tyre duke ricikluar, që do të thotë se të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë”, nënvizoi Tira.

Projekti ‘Ruje, mos e gjuj’ do të implementohet nga organizata joqeveritare Green Art Center dhe nga Komuna e Vushtrrisë,  në rreth 500 familje në territorin e Komunës së Vushtrrisë, derisa zbatimi i saj ka filluar tashmë në 36 shkolla dhe disa biznese të Vushtrrisë.