2023/03/10 - 3:47
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kompanisë SPEEEX dhe disa të rinj vushtrrias, të cilët me subvencionim të komunës me 50% kanë mbaruar kursin për mësimin e gjuhëve të huaja në këtë kompani.
Lajm i mirë, kryetari Idrizi tha se është fakti që 21 prej të rinjve që kanë ndjekur kursin tashmë janë punësuar.
Po ashtu, ai bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin përmes të cilit do të vazhdojë edhe më tutje subvencionimi për të rinjtë që duan të mësojnë një gjuhë të huaj.
“Kam nënshkruar edhe vendimin me të cilin do të vazhdojmë edhe më tutje subvencionimin me 50%, por që tashmë numri nuk do të jetë i kufizuar në 400, sa ishte vitin e kaluar. Pra numri i aplikantëve që do të subvencionojmë nuk do të ketë kufizime”, tha kryetari.
I pari i Vushtrrisë tha se të rinjtë dhe të rejat ishin shumë mirënjohës e falënderues për përkrahjen që i kanë bërë si komunë.