Republika e Kosoves

Vushtrri

Shënohet Dita e Çlirimit të Vushtrrisë

2018/06/18 - 7:01

Dita e çlirimit të Vushtrrisë 17 Qershori është shënuar sot fillimisht me një varg aktivitetesh si homazhe tek varrezat e ‘Dëshmorëve të Kombit’ si dhe të rënëve për liri. Derisa Akademia për shënimin e 19 vjetorit të çlirimit të Vushtrrisë është mbajtur në ambientet e Kalasë së qytetit në orët e pasdites.

Në fjalën e tij me këtë rast, kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka vlerësuar lartë sakrificën e njerëzve të Vushtrrisë për çlirim. “Në këtë përvjetor, të gjithë ne përulemi para kujtimit për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, atdheut tonë të shtrenjtë që u la me gjakun e dëshmorëve. Sot dhe çdoherë ne do të punojmë që sakrifica dhe gjaku i derdhur asnjëherë të mos harrohet, por të kemi motiv për të punuar drejtë, e kështu ti nderojmë dhe respektojmë dëshmorët me punë e ndershmëri”, ka thënë Tahiri në fjalën e tij në akademinë e mbajtur në shënim të 17 vjetorit të çlirimit.

Në emër të veteranëve të luftës së UCK-së në këtë manifestim ka folur, luftëtari dhe veprimtari Ali Januzi, i cili e quajti heroike luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Duhet të jemi sa më realist se Vushtrria e as Kosova nuk do të çlirohej pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Jonuzi. Ai po ashtu nga ky tubim ka bërë thirrje për unifikim të faktorit politik, që përvjetori i ardhshëm i çlirimit,  Vushtrrinë dhe Kosovën ta gjejnë më të zhvilluar dhe me infrastrukturë më të mirë.

Në shënimin e Ditës së Çlirimit kanë marrë pjesë edhe mysafirë nga komunat fqinje, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ajet Berisha dhe përfaqësues nga Komuna e Mitrovicës.

Vetëm në luftën e fundit Vushtrria dha 75 dëshmorë e mbi 600 martirë e shumë të plagosur dhe shkatërrim nga makineria e regjimit serb në masën mbi 90 përqind të fshatrave por edhe qytetit.

Në këtë manifestim  solemnisht humanistit Emin Selaci i është ndarë çmimi nderi i qytetit të cilin ja ka ndarë Kuvendi Komunal i Vushtrrisë. Po ashtu mirënjohje i është ndarë edhe veprimtarëve tjerë.

Në këtë Ditë të shënuar për qytetin e Vushtrrisë, ansambli i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina”, ka shfaqur një program të pasur muzikor.