Republika e Kosoves

Vushtrri

Pyetja

E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale

Pergjigjet

E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale
Kushtetuta e garanton të drejtën tuaj për mbrojtje të të dhënave personale. Ajo parasheh që mbledhja, ruajtja dhe përdorimi i të dhënave personale rregullohet me ligj.

Cila është baza ligjore për mbrojtjen e të dhënave tuaja personale?

Obligimet, përgjegjësitë dhe masat për mbrojtjen e të dhënave tuaja personale janë paraparë në Ligjin nr. 03/L-172 për mbrojtjen e të dhënave personale.

Çka janë “të dhënat personale”?

Të dhënat personale janë çdo informacion përmes së cilit mund të identifikohet një person fizik p.sh subjekt i të dhënave (emri, numri i letërnjoftimit, adresa e shtëpisë, informata nga dëftesa e pagës etj.)

Çka janë të dhënat personale të ndjeshme?

Çdo e dhënë personale që zbulon:

Origjinën racore apo etnike;
Mendimet politike apo filozofike;
Besimet fetare;
Anëtarësia në sindikatë;
Informacioni për gjendjen shëndetësore
Informacioni për jetën seksuale.
Informacioni për historinë e veprave penale dhe kundërvajtëse.
Tiparet biometrike si p.sh. shenjat e gishtërinjve, shenjat papilare të gishtërinjve, iridës, retinës, karakteristikat fytyrore dhe ADN-ja gjithashtu konsiderohen të dhëna personale të ndjeshme.

Të dhënat personale të ndjeshme gëzojnë mbrojtje më të madhe p.sh. përpunimi i atyre të dhënave kërkon plotësim të kritereve më strikte.

Kush është kontrolluesi dhe kush përpunuesi I të dhënave?

Kontrolluesi i të dhënave është personi juridik, nga sektori publik apo privat që e përcakton qëllimin e shfrytëzimit të të dhënave personale.

Përpunues i të dhënave është fizik a juridik, nga sektori publik apo privat që i përpunon të dhënat personale, në emër të dhe me udhëzime të kontrolluesit të të dhënave.

Përgjegjësia përfundimtare për përpunim të të dhënave bie mbi kontrolluesin e të dhënave.

Çka është përpunimi i të dhënave?

Përpunimi i të dhënave është çdo veprim që bëhet me të dhënat personale, p.sh. mbledhja, regjistrimi ruajtja, përshtatja, ndryshimi, përdorimi, zbulimi, shpërndarja etj.

Parimet e përpunimit të të dhënave Sipas ligjit, të dhënat personale duhet të përpunohen në mënyrë të drejtë dhe ligjshme pa e shkelur dinjitetin e subjekteve të të dhënave.