2024/11/10 - 10:28
OJQ Kosova Women 4 Women (KW4W) fton të gjitha gratë dhe vajzat e papuna, të moshës 18-50 vjeçare nga Komuna e Podujevës, të cilat janë të interesuara për të marrë pjesë në sesion informues të programit të KW4W për fuqizimin social dhe ekonomik.
Ky sesion do të mbahet më 11 nëntor, në ora 11:00, në sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës.
Kosova Women 4 Women është një organizatë vendore e regjistruar në vitin 2016 në Kosovë. KW4W është trashëgimtare e punës 17-vjeçare të Women for Women International, e cila ka punuar në Kosovë që nga viti 1999 në implementimin e projekteve me aspekt social dhe ekonomik. KW4W ka trajnuar mbi 32,000 gra në fuqizimin social dhe ekonomik, duke përfshirë themelimin dhe fuqizimin e shoqatave bujqësore në komuna të ndryshme të Kosovës.
KW4W ofron një program 10-mujor falas që u mundëson grave dhe vajzave të përmirësojnë aftësitë e tyre në aspektin social dhe ekonomik.
Programi realizohet duke u takuar dy herë në javë në grupe prej 20-25 grave, të cilat do të fitojnë njohuri në aspektin social dhe ekonomik dhe do të përgatiten për tregun e punës.
Pjesëmarrëset që përfundojnë trajnimin profesional për kujdesin ndaj fëmijëve do të kenë mundësi të kryejnë një muaj praktikë në çerdhe me pagesë.
Në përfundim të programit 10-mujor, secila pjesëmarrëse do të certifikohet.
PROGRAMI SOCIAL
Moduli I – Rrjetet Sociale dhe të Sigurta
Moduli II – Vetëqëndrushmëria Ekonomike
Moduli III – Shëndeti dhe Mirëqenia
Moduli IV – Barazia Gjinore dhe të Drejtat
Moduli V – Ndikimi i grave në Vendim-Marrjen në Familje dhe Komunitet
PROGRAMI EKONOMIK
Programi ekonomik përbëhet nga trajnimi për biznes dhe trajnimi për aftësim profesional.
Trajnimi i Aftësive të Biznesit:
Ky trajnim përfshin orë mbi bazat e biznesit, sipërmarrjen, planifikimin, shitjen, mbajtjen e librave dhe financat e biznesit.
Trajnimi për Aftësim Profesional:
Qëllimi i trajnimit profesional është t’u ofrojë grave njohuritë teknike të nevojshme për të fituar të ardhura të qëndrueshme në fushën e aftësimit profesional.