Republika e Kosoves

Podujevë

KKSB shqyrtoi gjendjen e sigurisë në Podujevë

2024/09/30 - 2:25

Situata e sigurisë në Komunën e Podujevës është vlerësuar stabile dhe e menaxhueshme. Ky vlerësim është dhënë në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të Komunës së Podujevës, të cilën e ka kryesuar Kryetari, Shpejtim Bulliqi.

Lidhur me këtë çështje ka raportuar Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bashkim Bajrami, i cili e vlerësoi të qetë situatën e sigurisë. Ai tha se për periudhën korrik, gusht, deri më 25 shtator kanë ndodhur 158 aksidente të trafikut. Prej tyre, sipas tij, 26 kanë qenë me lëndime, kurse të tjerat me dëme materiale.

Komandanti Bajrami tha se gjatë kësaj periudhe kohore janë bërë 25 kontrolle në shtëpi dhe objekte përcjellëse, lokale të ndryshme dhe se janë sekuestruar 4 pushkë automatike AK-47, 2 pushkë gjysmëautomatike, 26 pistoleta të ndryshme, 6 pushkë të gjuetisë, 12 thika të ndryshme dhe 585 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Përfaqësuesi i KFOR-it dhe përfaqësuesi i FSK-së gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile dhe po ashtu përmendën bashkëpunimin e vazhdueshëm që e kanë me insitucionet lokale.

Informatën për sigurinë në shkolla e prezantoi Drejtori për Arsim, Avni Fetahu, i cili theksoi se DKA synon krijimin e një sistemi arsimor të bazuar në cilësi, gjithëpërfshirje dhe llogaridhënie, me mundësi të barabarta për të gjithë qyetetarët e Komunës së Podujevës.

“Shikuar në përgjithësi dhe duke u bazuar në raportet e policisë dhe drejtorëve të shkollave, si dhe raportet e DKA, në lidhje me sigurinë në shkolla mund të themi se në këtë vit shkollor gjendja e sigurisë në shkollat e Komunës së Podujevës është e qetë, stabile dhe sigurt. Këtë konstatim e përforcon edhe më shumë mbarëvajtja e tërë procesit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Komunën e Podujevës. Është bërë zgjerimi i shërbimit psikologjik dhe pedagogjik ku janë punësuar 9 psikologë, 3 pedagogë dhe 15 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta”, theksoi Drejtori Fetahu.

Ndërkohë, Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale, Adelina Stublla, tha se në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare përveç shërbimeve tjera, ofrohet edhe shërbimi paliative për nënat shtatzëna dhe fëmijët nga 0 deri në 3 vjeç, ku falë këtyre po zbulohen sëmundje të ndryshme në faza të hershme tek fëmijët. Ajo i përmendi edhe investimet që po bëhen në kuadër të kësaj Drejtorie dhe po ashtu potencoi se në Qendrën për Punë Sociale për herë të parë është siguruar edhe prania e zyrtarëve policorë për të ofruar siguri.

Gajtë kësaj mbledhje u diskutua edhe për zjarret. Drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, tha se gjatë muajit gusht janë bërë 117 intervenime në shuarjen e zjarreve në pyje, hamullore, barishte, në sipërfaqe bujqësore, etj.

Ndërsa, sa i përket vërshimeve, Selimi theksoi se gjatë kësaj kohe është bërë identifikimi i vendeve të rrezikshme dhe po ashtu është punuar në parandalimin e vërshimeve, duke përmendur zgjerimin e shtretërve të lumenjve, kanaleve atmosferike, etj.

Në fillim të mbledhjes u shqyrtua dhe u miratua njëzëri procesverbali i mbledhjes së kaluar të KKSB-së.