2024/11/01 - 2:58
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB), ka mbajtur mbledhjen e pestë në të cilën ka analizuar gjendjen e sigurisë në Komunë. Në këtë takim, të cilin e ka kryesuar nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, është formuar Grupi punues për përgatitjen e Propozim-Planit të Punës së KKSB për vitin 2025 dhe Grupi punues për përgatitjen e informatës për aktivitetet e këtij organi për vitin 2024.
Për gjendjen e sigurisë raportoi Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bashkim Bajrami, i cili e vlerësoi të qetë situatën e sigurisë. Ai tha se rastet e ndryshme të raportuara nuk kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës së përgjithshme.
Sipas Komandatit Bajrami, gjatë muajit tetor 2024 janë raportuar 84 raste, nga të cilat 24 aksidente të trafikut, 1,064 tiketa trafiku, 5 patentë shoferë të konfiskuar, 1 rast dhunimi, 1 vrasje në tentativë – therje me thikë, 11 urdhërsa të realizuara, 9 persona të arrestuar dhe 3 të tjerë të arresutuar sipas urdhëresave të gjykatës.
Edhe përfaqësuesi i KFOR-it vlerësoi se gjendja e përgjithshme në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile dhe theksoi bashkëpunimin e mirë me organet e rendit dhe sigurisë.
Anëtarët e KKSB shprehën shqetësimin për, siç thanë vendosjen e një simboli fetar në një fshat të Podujevës. Sipas tyre, këto veprime janë tendencioze dhe shprehin mosdurim fetar.
Komandanti i Policisë, Bajrami dha informatë edhe për dukuritë negative dhe masat sensiblizuese kundër përdorimit të narkotikëve, vjedhjeve, dhunës në familje, etj, ku janë mbatur ligjërata nëpër shkollat fillore dhë ato të mesme. Bajrami tha se gjatë kësaj periudhe kohore, janë sekuestruar 7 mjete të mprehta – thika të ndryshme, 23.76 gram substanca narkotike, 220 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, 17 gëzhoja të armës dhe një predhë.
Në mbledhjen e KKSB u diskutua edhe rreth përdorimit të mjeteve piroteknike, ku Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë theksoi se Policia ka plane operative për parandalimin e përdorimit të mjeteve prioteknike, duke veçuar këtu edhe bashkëpunimin e rregullt të Policisë me inspeksionin komunal për parandalimin e shitjes së paligjshme, e ku në fundvit kjo dukuri është me e theksuar për shkak të festave të fundvitit.
Ndërsa në pikën e fundit të kësaj mbledhje me propozimin e nënkryetares së Komunës, Marigona Lahu, u miratua njëzëri Grupi punues për përgatitjen e Propozim-Planit të Punës së KKSB për vitin 2025 dhe formimin e Grupit punues për përgatitjen e informatës për aktivitetet e këtij organi për vitin 2024.