Republika e Kosoves

Podujevë

Komiteti për Komunitete mban takimin e radhës

2024/10/10 - 1:52

Organizimi i kurseve për fëmijët e komuniteteve joshumicë e avancimi i të drejtave të komuniteteve, kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar në mbledhjen e rregullt të Komitetit për Komunitete i Kuvendit Komunal, të cilin e udhëhoqi kryesuesi, Xhafer Ademi.

Zyrtari për çështje pedagogjike nga Drejtori për Arsim, Selman Gashi, tha se DKA po i shqyrton mundësitë për organizimin e kursve për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, të cilët kanë vështirësi në shkrim lexim.

Përveç kësaj, ai theksoi se Drejtoria për Arsim ka angazhuar tutorë në katër shkolla të qytetit, të cilët do të ofrojnë mbështetje për fëmijët e këtyre komuniteteve që kanë nevojë për ndihmë në zhvillimin e aftësive të tyre në shkrim dhe lexim.

“DKA inkurajon të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë të ndjekin konkursin për bursa për studentë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi që do t’u ndihmonte në vijimin e studimeve”, tha ai.
Ndërkohë, zyrtarja për strehim nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arbresha Bashota, i informoi të pranishmit për ndihmën që u kanë ofruar pjesëtarëve të komunitetit joshumicë gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim. Ajo foli edhe për zbatimin e planit të veprimit komunal për avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Ndërsa, udhëheqësi i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, Liman Zeqiri, tregoi për aktivitetet që janë mbajtur në kuadër të planit të veprimit, me theks të veçantë në fushën e shëndetësisë.

Në fillim të kësaj mbledhje u miratua procesverbali i mbledhjes të mbajtur më 6 shtator 2024.