Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Bulliqi e Ministri Aliu nënshkruajnë marrëveshje për projektin e banimit të përballueshëm

2024/09/11 - 12:27

Kryetari i Komunës, z.Shpejtim Bulliqi dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila i hap rrugë realizimit të projektit të banimit të përballueshëm.

Bazuar në këtë marrëveshje, realizimi i projektit për ndërtimin e njësive të banimit në Komunë, synon të përmirësojë kushtet e banimit për grupet e synuara sipas Programeve të veçanta të banimit për familjet ose individët të cilët nuk janë në gjendje ekonomike t’i përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave dhe kanë nevojë për ndihmën e shtetit.

Përfituesit do të përcaktohen sipas kritereve të përcaktuara në dispozitat ligjore në fuqi për banimin e përballueshëm dhe social.

Kryetari Bulliqi e falënderoi Ministrin Aliu për ndihmën e vazhdueshme që po e ofron kjo Ministri në realizimin e projekteve që janë në dobi të qytetarëve e veçmas për këtë projekt, i cili do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të banimit për kategoritë e cenueshme.