Republika e Kosoves

Podujevë

Manifestimi “Ditët e Diasporës” përmbyllet me plotë aktivitete në Podujevë

2024/08/15 - 5:31

Ngjarje të shumta kulturore e sportive, të cilat kanë sjell edhe shumë gjallëri në Podujevë, janë realizuar në kuadër të Manifestimit “Ditët e Diasporës”. Për më shumë se dy javë, sa ka zgjatur ky Manifestim, qytetarët e Podujevës, e veçmas bashkatdhetarët, kanë përjetuar ditë e netë të paharruara me aktivitete të ndryshme. Për këto ditë, Podujeva u bë adresë edhe për shumë qytetarë nga vende të ndryshme të botës.

Manifestimi nisi më 26 korrik me koncertin e Shoqërisë Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti”, ku qytetarë të shumtë janë argëtuar me tingujt e muzikës popullore që i kënduan këngëtarët llapjanë dhe mysafirët specialë që performuan në natën e parë.

Për disa ditë qytetarët kanë pasur mundësinë të shohin veshje tradicionale dhe eksponate të ndryshme, kryesisht të trevës së Llapit, në ekspozitën e realizuar në Galerinë e Qytetit. Aty është mbajtur edhe Festivali i poezisë “Valët e Llapit dhe po ashtu takimi i Kryetarit Shpejtim Bulliqi me mërgatën.

Aktivitetet kanë vazhduar me garat në arte marciale Brazilian “Jiu-Jitsu”, ku sportistë vendas e të huaj shfaqën shkathtësitë e tyre në këtë sport. Gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar gara edhe në pingpong, është mbajtur turneu i verës në futsall “Podujevë 2024” dhe është zhvilluar lojë në volejboll ndërmjet Klubit Llapi dhe Klubit Prishtina. Aktivitetet sportive kanë vazhduar me Kampin pesëditor të Karatesë në Parkun e Pishave e me një performancë nga Federata e Gjimnastikës në Bulevardin e Qytetit.

Për të rinjtë janë mbajtur edhe dy kampe tjera, ku të rinjtë përveç aktiviteteve të ndryshme, kanë provuar edhe sportin e kajakimit në Liqenin e Batllavës. Kampi është mbajtur edhe në Parkun Manchester.

Në Liqenin e Batllavës është mbajtur edhe edicioni i parë i Festivalit “Kayak Fest Kosova”, ku përgjatë tri ditëve sportistë e qytetarë nga Podujeva e më gjerë kanë pasur mundësinë ta provojnë ndjenjën e kajakimit.

Gjatë këtyre ditëve në Bulevardin e Qytetit janë mbajtur dy panaire artizanale ku janë ekspozuar produkte të ndryshme ushqimore, veshje kombëtare e gjëra tjera tradicionale, të përgatitura kryesisht nga gratë llapjane.

Manifestimi “Ditët e Diasporës” e ka hapur edhe edicionin e tretë të Panairit të Librit “Podujeva 2024”. E, në Teatrin “Avdush Hasani” është dhënë shfaqja “Vajza e mbështjellur me flamur”, ndërsa në Kinemanë e hapur janë shfaqur filma të ndryshëm.

Për më shumë se dy javë Sheshi “Katër Dëshmorët” është shndërruar në qendër kulturore e sportive. Aty janë mbajtur edhe dy koncerte të mëdha, njëri me Sabri Fejzullahun e tjetri me Nora Istrefin e Rina Balajn. Në këtë Shesh është mbajtur edhe Festivali për fëmijë “Bëje shqiponjën” dhe kanë performuar nxënësit e Shkollës së Kitarës “Mirela”.

Gjatë Manifestimit “Ditët e Diasporës” është mbajtur edhe edicioni i tretë i Festivalit Newborn Kosova, i pari i këtij lloji në Podujevë. Ansamble të këngëve dhe valleve të nëntë shteteve të botës kanë defiluar nëpër qytetin e Podujevës me valle e këngë tradicionale të vendeve që përfaqësonin. Ndërsa, manifestimi kryesor është mbajtur në Sheshin “Katër Dëshmorët”, aty ku ansamblet e këtyre shteteve me një performancë të jashtëzakonshme kanë argëtuar publikun.

Aktivitetet e Manifestimit “Ditët e Diasporës” janë përmbyllur të mërkurën me finalen e turneut të verës në futsall “Podujevë 2024”.