Republika e Kosoves

Podujevë

Mbahet edicioni i parë i Festivalit “Kayak Fest Kosova” në Liqenin e Batllavës

2024/08/12 - 3:09

Përgjatë tri ditëve sportistë e qytetarë nga Podujeva e më gjerë kanë pasur mundësinë ta provojnë ndjenjën e kajakimit në kuadër të edicionit të parë të “Kayak Fest Kosova” që është mbajtur në Liqenin e Batllavës.

Qëllimi i këtij Festivali, i cili është organizuar nga Fedarata e Kayakut dhe Komuna e Podujevës, ishte promovimi i kajakimit për të gjithë qytetarët nga vendi, rajoni dhe më gjerë, të cilët ndajnë pasionin e njëjtë për natyrë dhe sport.

“Kayak Fest Kosova” shndërroi Liqenin e Batllavës në një oazë gjallërie ku përveç karakterit promovues dhe argëtues kishte edhe karakter garues. Për këto tri ditë sportdashësit patën mundësinë të shijojninë adrenalinën e kajakimit në shtigjet e bukura të liqenit.

Në këtë Festival morën pjesë edhe nënkryetarja e Komunës Marigona Lahu, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli Jashanica dhe nënkryetari i Federatës Shkrep Balidemaj.

Nënkryetarja Lahu tha se festivalet si “Kayak Fest Kosova” janë shumë të rëndësishëm për turizimin dhe se organizime të tilla janë të mirëseardhura. Lahu theksoi se si komunë do të mbështesin organizime të tilla.

Festivali “Kayak Fest Kosova” ka nisur të premten dhe është mbyllur të dielen.