2025/02/01 - 3:24
Dëshmorja Ylfete Humolli është nderuar me një koncert-homazh i cili u mbajt në Teatrin “Avdush Hasani”, në 35-vjetorin e vrasjes së saj nga forcat serbe në vitin 1990.
Në këtë koncert-homazh, i cili u organizua nga Komuna e Podujevës, të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, zyrtarë nga niveli qendror e lokal, familjarë të dëshmorëve e veteranë të UÇK-së, veprimtarë e artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e qytetarë të shumtë.
Kryetari Bulliqi tha se Ylfete Humolli mbeti përgjithmonë simbol i guximit, i sakrificës dhe i aspiratës për liri.
“Demonstratat e vitit 1990 ishin jehona e një populli që refuzonte shtypjen dhe padrejtësinë. Ishin britma e një rinie që nuk e pranonte robërinë dhe që guxoi të dalë përballë dhunës me ëndrrën për shtetin e vet. Në ballë të kësaj rinie qëndronte edhe Ylfetja, një vajzë e re nga Lupçi, e cila besonte në lirinë e Kosovës deri në frymën e fundit”, theksoi me këtë rast Kryetari Bulliqi.
Sipas tij, sot në këtë përvjetor, ne nuk e kujtojmë vetëm rënien e saj, por mbi të gjitha e kujtojmë idealin dhe mesazhin që ajo na la.
“Sepse Ylfetja nuk ishte vetëm një viktimë e dhunës gjenocidale serbe; ajo ishte dëshmi e një rezistence të paepur, një ndër zërat që e paralajmëruan epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën që solli lirinë e vendit tonë. Prandaj, në këtë ditë kujtimi dhe nderimi, ne përulemi me respekt para jetës dhe sakrificës së saj. I jemi mirënjohës familjes së saj për rritjen dhe edukimin e një bije kaq të denjë të Kosovës. Dhe i jemi mirënjohës të gjithë atyre që, si Ylfetja, dhanë gjithçka për të bërë të mundur shtetin që ne gëzojmë sot”, tha Kryetari Shpejtim Bulliqi.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe motra e Ylfetes, Vlora Humolli-Jashanica, që njëherit është edhe drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Podujevës.
Koncerti ka nisur me një monolog të Ylfetes, i cili është ndërtuar nga rrëfimet e familjarëve të saj, e të cilin e ka lexuar mezosopranoja Besiana Mehmedi.
Koncerti ka vazhduar me këngë kushtuar Ylfetes e babait të saj, Isa Humollit, komandantit Adem Jashari e shumë këngë të tjera të cilat i interpretuan mezosopranoja Besiana Mehmedi e sopranoja Adelina Paloja, të cilat u shoqëruan nga pianistja Alba Muçolli dhe po ashtu nga prof.Rudina Ciko e cila bashkë me maestro Zhani Ciko ishin mysafirë specialë nga Shqipëria. Ndërsa, udhëheqës artistik i këtij koncerti-homazh ishte Shkodran Tolaj.
Përveç organizimit të këtij koncerti, në nderim të Ylfete Humollit, Kryetari Shpejtim Bulliqi, i shoqëruar nga ministrat Ejup Maçedonci dhe Albulena Haxhiu dhe zyrtarë të tjerë, gjatë ditës kanë bërë homazhe pranë varrit të saj në fshatin Lupç dhe bashkë me Ministren Nagavci dhe zyrtarë tjerë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Penuhë pranë varrit të dëshmorit Fadil Talla, i cili po ashtu u vra më 1 shkurt të vitit 1990 nga forcat serbe.