2024/11/20 - 3:55
Çështja e migrimit ka qenë temë diskutimi në Tryezën me titull “Menaxhimi i migrimit” që është organizuar nga GIZ-i e në të cilën mori pjesë edhe nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu dhe zyrtarë tjerë komunalë, përfaqësues nga Autoriteti Qeveritar për Migrim, GIZ Kosova, përfaqësues lokalë të sigurisë, të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve, të Zyrës së Punësimit, etj.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte informimi i nivelit lokal mbi politikat e migracionit dhe rolin e tyre në këto çështje, lehtësimi i bashkëpunimit dhe ndarjes së të dhënave ndërmjet nivelit qendror dhe lokal dhe rritjen e ndërgjegjësimit për detyrimet, kompetencat dhe kufizimet e çdo institucioni për të përmbushur mandatin e tyre në fushën e migracionit.
Pas prezantimit te një raporti për migracionin nënkryetarja Lahu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal për të krijuar mundësi të reja për personat që kthehen nga migrimi, si dhe për të rritur mundësitë e integrimit të tyre në tregun e punës.
Gjatë kësaj tryeze, u theksua domosdoshmëria e krijimit të mundësive për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësive të reja ekonomike, duke u mbështetur në përvojat dhe kapacitetet e institucioneve, bizneseve dhe aktorëve të ndryshëm.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte përcaktimi i pikave kyçe që do të integrohen në strategjinë e ardhshme të migrimit, e cila do të ketë si prioritet të përfshijë dhe fuqizojë përpjekjet për menaxhimin e migracionit në nivel lokal.
Pjesëmarrësit u dakorduan që përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve lokalë dhe atyre qendrorë është një nga faktorët kyç për realizimin e orientimeve strategjike të vendit.