Republika e Kosoves

Podujevë

Me aktivitete të ndryshme shënohet Dita Botërore e Ushqimit

2024/10/17 - 7:48

Dita Botërore e Ushqimit është shënuar edhe në Podujevë. Në Bulevardin e Qytetit, nxënës të shkollave fillore “Naim Frashëri” e “Dëshmorët e Kombit” kanë ekspozuar ushqime të ndryshme, të përgatitura në shtëpi, të cilat i kanë shitur me çmime simbolike. Ndërkohë që, mjetet e mbledhura do t’iu dhurohen fëmijëve me nevoja të veçanta.

Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, i ka vizituar nxënësit e të dy shkollave. Ajo i ka përgëzuar stafin e shkollave dhe nxënësit për këtë iniciativë e cila përveçqë ka për qëllim sensibilizimin mbi rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme, me mjetet e mbledhura do të ndihmohet edhe kjo kategori e veçantë e shoqërisë.

Me aktivitete të ngjashme kjo ditë është shënuar edhe në shkollat tjera të Podujevës.

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet çdo 16 tetor (që nga viti 1981), datë kjo që shënon edhe themelimin e Organizatës së Kombëve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO-1945).

Shënimi i Ditës Botërore të Ushqimit ka për qëllim zhdukjen e urisë dhe varfërisë dhe synon sensibilizimin e politikëbërësve mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqënien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.