Republika e Kosoves

Podujevë

Përurohen dy objekte të reja shkollore në Podujevë

2024/09/04 - 3:41

Dy fshatra të Podujevës, Dumoshi e Obrança janë bërë me objekte të reja shkollore. Përurimi i tyre është bërë të mërkurën në një atmosferë të ngrohtë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës, z.Shpejtim Bulliqi, deputetë të Kosovës, drejtorë e zyrtarë tjerë komunalë, nxënës, mësimdhënës e banorë të këtyre fshatrave.

Kryeministri Kurti tha se në këto klasa do të rriten e do të ndriten mendjet e reja që do të ndërtojnë nesër një botë më të drejtë e më të bukur.

“Uroj që kjo shkollë e çdo tjetër në vendin tonë të jetë burim frymëzimi për çdo fëmijë që të përqafojë dijen e të kërkojë më të mirën nga vetja, nga shoqëria, nga bota”, theksoi Kurti në përurimin e objektit shkollor në Dumosh.

Ndërsa, Kryetari Bulliqi, theksoi se këto objekte shkollore do të ofrojnë kushte të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie.

“Këtu, brezat e rinj do të marrin mësimet e para, do të mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë, do të formojnë bazat e dijes së tyre, që do t’i ndihmojë ata të ndërtojnë një jetë të suksesshme në të ardhmen. Prandaj, ky investim u dedikohet veçanërisht fëmijëve”, tha Kryetari Bulliqi.

Një fjalë rasti mbajti edhe Ministrja Arbërie Nagavci dhe drejtoresha e Shkollës, Sebahate jakupi.

Ndërtimi i objektit të Shkollës “Musli Dumoshi” në fshatin Dumosh ka kushtuar 584,807.94 euro, ndërsa ndërtimi i objektit të Shkollës, Ali Hadri” në Obrançë ka kushtuar 497,715.63 euro. Të dy objektet janë ndërtuar nga buxheti i Komunës së Podujevës.