2025/01/21 - 3:57
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Naim Frashëri” në qytet është bërë me palestër të re të sporteve. Përurimi është bërë sot në një ceremoni në të cilën kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtorë komunalë dhe zyrtarë tjerë nga niveli qendror e lokal.
Kryetari Bulliqi tha me këtë rast se ndihet i lumtur që nxënësit e kësaj Shkolle do ta kenë në shfrytëzim këtë objekt modern për zhvillimin e orëve të edukatës fizike dhe sportive.
“Jam i lumtur që sot po e përurojmë këtë objekt të ri të sallës së sporteve në ShfMU ‘Naim Frashëri’ në qytet, i cili është ndërtuar falë bashkëpunimit të mirë me Ministrinë e Arsimit. Përveç kësaj salle, është duke u ndërtuar edhe salla e sporteve në Shkollën ‘Enver Maloku’ dhe në Shkollën ‘Ali Ajeti’ në fshatin Sfeçël. Kurse, këtë vit kemi planifikuar ta ndërtojmë edhe sallën e sporteve në Shkollën ‘Shaban Shala”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Sipas tij, si institucione lokale bashkë me nivelin qendror kanë investuar dhe po investojnë edhe në ndërtimin e objekteve të reja shkollore për të përmirësuar kushtet e mësimdhënies e mësimnxënies dhe për të pasur një proces arsimor sa më cilësor.
Edhe Ministrja Arbërie Nagavci tha se është e lumtur që po e përurojnë këtë objekt i cili i do t’u shërbejë nxnësve dhe mësimdhënësve për zhvillimin e orëve të edukatës fizike. Ajo theksoi se si Ministri gjatë këtyre katër vjetëve në Komunën e Podujevës kanë investuar më shumë se 7.5 milionë euro për objekte edukative-arsimore.
Drejtori i Shkollës, Tafil Thaçi, e falënderoi Ministren Nagavci për këtë investim dhe tha se tash e tutje do të kenë ku t’i zhvillojnë orët e edukatës fizike dhe sportive.
Ky projekt është investim i MASHTI-t, vlera e të cilit është afro 400 mijë euro.