Republika e Kosoves

Podujevë

Përurohet shtatorja e ish-Presidentit, Ibrahim Rugova

2024/09/09 - 8:05

Ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i është bërë një vend i përhershëm në Parkun e Qytetit të Podujevës. Nga sot aty do të qëndrojë shtatorja e tij e gdhendur në bronz.

Ceremonia e zbulimit të kësaj shatoreje që është organizuar më 7 shtator, në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, është përcjellë nga krerët më të lartë shtetërorë, ish-bashkëpunëtorë të tij, familjarë e qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi.

Fillimisht të pranishmëve u është drejtuar Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani-Sadriu, e cila tha se kjo shtatore është nderim për kryearkitetktin e shtetit tonë.

“Shtatorja e Presidentit Rugova po përjetësohet e po përurohet në 7 shtatorin historik. Në të njëjtën datë, 34 vjet më parë, u miratua Kushtetua e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë për të cilën gjë tërë jetën ia kushtoi Presidenti ynë historik. Shtatorja e Presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lirë të pavarur dhe demokratike”.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli Zëvendëskryeministrja, znj.Donika Gërvalla. Ajo theksoi se Presidenti Rugova u qëndroi besnik çdoherë vizionit dhe parimeve të tij.

“Kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej ekzistenca e popullit të tij, Ibrahim Rugova, doli në ballë të lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës…Me vizionin e tij largpamës dhe udhëheqjen e tij të matur e të mençur që zgjoi mobilizimin më të madh në historinë e shqiptarëve, Kosova shpalli pavarësinë”.

Gjatë kësaj ceremonie të pranishmëve u është drejtuar edhe ish-Presidenti, Fatmir Sejdiu. Pasi ka nderuar figurën e Rugovës, ai ka falënderuar kryetarin Bulliqi për vendosjen e kësaj shtatoreje.

E, Kryetari i Komunës, z.Shpejtim Bulliqi, nën patronazhin e të cilët është organizuar kjo ceremoni, tha se sot është një ditë e veçantë për Podujevën dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në këtë ditë, në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, një prej ngjarjeve më të ndritura të Kosovës po nderojmë njërin nga figurat më të shquara të historisë sonë, Presidentit Ibrahim Rugova, duke e zbuluar shtatoren e tij në qendër të qytetit tonë. Ky monument, që tashmë do të qëndrojë në Parkun e Qytetit të Podujevës, është një përkujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Kryetari z.Shpejtim Bulliqi.

Tutje, Kryetari Bulliqi theksoi se Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi që simbolizoi lëvizjen për liri të Kosovës.

“Shtatorja që po e zbulojmë sot është më shumë se një vepër arti; ajo është një simbol i përkushtimit të Rugovës për paqe, dialog dhe unitet. Ky monument na kujton për çdo ditë se liria dhe pavarësia jonë janë arritur falë përkushtimit dhe sakrificës së njerëzve të mëdhenj si Rugova, që vunë interesat kombëtare mbi gjithçka tjetër”.

Në emër të familjes të pranishmëve u është drejtuar djali i ish-Presidentit Rugova, Ukë Rugova, i cili po ashtu e ka falënderuar kryetarin Bulliqi për vendosjen e shtatores.

Në fund të ceremonisë është dhënë edhe një program artistik me këngë e valle.