Republika e Kosoves

Podujevë

U mbajt dëgjim publik me banorë të fshatit Lluzhan me rrethinë

2024/08/27 - 12:12

Komuna ka nisur mbajtjen e dëgjimeve publike për projekt-buxhetin e vitit 2025, qëllimi i të cilëve është dëgjimi i kërkesave së qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Dëgjimi i parë për projekt-buxhetin është mbajtur të hënën në hapësirën e Shkollës së fshatit Lluzhan “Afrimi e Fahriu”. Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Leutrim Krasniqi dhe drejtori i Administratës, Shuajb Blakçori.

Drejtori Osmani e prezantoi draft-buxhetin në mënyrë të detajuar duke specifikuar investimet dhe projektet të cilat janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2025.

Pas prezantimit të draft-buxhetit, pjesëmarrësit paraqitën kërkesa e tyre në fusha të ndryshme, si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe shërbime publike, të cilat u regjistruan në procesverbal dhe të njëjtat do të shqyrtohen nga grupi punues.

Cikli i dëgjimeve publike ka filluar të hënën dhe do të vazhdojë deri më 6 shtator në vendtakime të planifikuara sipas kalendarit të publikuar, ndërsa raporti i procesit të dëgjimeve do të publikohet gjatë muajit shtator në faqen zyrtare të Komunës.