2024/11/13 - 10:43
Podujeva është bërë me objekt modern të Urgjencës mjekësore. Inaugurimi është bërë sot në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi, Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia, Ambasadori i Katarit në Tiranë dhe Prishtinë, z.Jabor Ali Al-Dosari, përfaqësues të Organizatës “Qatar Charity”, deputetë, drejtorë e asamblistë komunalë, staf mjekësor e qytetarë.
Gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që ka ky objekt shëndetësor jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe më gjerë.
“Urgjenca e re mjekësore e qytetit të cilën po e inaugurojmë sot, është një projekt me vlerë e me rëndësi madhore për qytetin. Duke pasur parasysh pozicionimin strategjik, përkatësisht edhe afërsinë me pikën kufitare në Merdar, Urgjenca do të na shërbejë jo vetëm për qytetin dhe mbarë vendin, por edhe për rajonin e veçanërisht për bashkatdhetarët nga Lugina, të cilët mund të përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve mjekësore, sepse kjo hapësirë me afërisht 1,600m2, ka si pjesë përbërëse edhe ofrimin e disa prej shërbimeve parësore shëndetësore si qendër e mjekësisë familjare”, tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se shteti i Katarit ka ndihmuar edhe me projekte tjera gjithandej vendit.
Kryetari i Komunës, z.Shpejtim Bulliqi, tha se Urgjenca që është ndërtuar në bashkëfinancim me Katarin, është një nga objektet më moderne shëndetësore në vend.
“Urgjenca është e pajisur me teknologjinë më të avancuar për të ofruar shërbime të shpejta dhe të sigurta për qytetarët tanë. Ky investim prej 1.7 milionë euro është realizuar në bashkëpunim me ‘Qatar Charity’, e cila kontribuoi me 1.1 milionë euro, ndërsa Komuna e Podujevës financoi 600,000 euro.
Falënderoj ‘Qatar Charity’ për mbështetjen në realizimin e këtij projekti madhor dhe stafin shëndetësor për punën dhe përkushtimin e tyre. Urgjenca e re e Qytetit është një hap i rëndësishëm drejt kompletimit të infrastrukturës shëndetësore në komunën tonë”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Ai bëri të ditur se shërbimet për qytetarët në këtë objekt do të fillojnë zyrtarisht nga data 2 dhjetor, periudhë kjo që nevojitet për funksionimin e tërësishëm të shërbimeve.
Ndërsa Ambasadori i Katarit në Tiranë dhe Prishtinë, z.Jabor Ali Al-Dosari, tha se “Ky projekt pasqyron thellësinë e marrëdhënieve të shtetit të Katarit dhe Republikës së Kosovës dhe shpreh përkushtimin e Katarit për të përmbushur projektet zhvillimore dhe shëndetësore që i shërbejnë shoqërisë kosovare dhe kontribuojnë në rritjen e stabilitetit dhe mirëqenies së saj”.
Si shenjë kujtimi për ditën e përurimit të objektit, është kompletuar edhe një “pazzles” me emrat dhe nënshkrimet e disa prej zyrtarëve pjesëmarrës, e që do të qëndrojë në objektin e Urgjencës.