Republika e Kosoves

Podujevë

U shënua 26 vjetori i Betejës së Kaçandollit

2024/09/15 - 5:15

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi bashkë me komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ZOLL, deputetë të Kuvendit, drejtorë dhe asamblistë komunalë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë në 26 vjetorin e Betejës së Kaçandollit kanë bërë homazhe në “Kompleksin e Dëshmorëve” në Penuhë dhe pranë lapidarit të kësaj beteje në Kaçanoll, si dhe kanë marrë pjesë në manifestimin qendror në Teatrin “Avdush Hasani” aty ku edhe u shfaq premiera e dokumentarit kushtuar kësaj beteje.

Kryetari Bulliqi në fjalën para të pranishmëve në manifestimin përkujtimor tha “Beteja e Kaçandollit është vazhdimësi e përpjekjeve tona për t’u çliruar nga robërimi shekullor. Kjo betejë ishte dëshmi se ushtarët e UÇK-së e zgjodhën vdekjen për liri para jetës së robëruar. Në ato tri ditë beteje (15,16,17 shtator) duke luftuar ballë për ballë me armikun ranë për të mos vdekur kurrë 7 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Naim Zhegrova, Fadil Sejdiu, Habib Zeka, Islam Rekaliu dhe Selim Rekaliu”.

Fjalë rasti mbajti edhe Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe pas fjalës së tij u shfaq dokumentari i përgatitur nga TV Llapi duke përmbledhur ngjarjet kryesore me protagonistët e atyre ngjarjeve.

Manifestimi përkujtimor për Betejën e Kaçandollit u organizua nga Komuna e Podujevës në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta(OVL).