2024/10/27 - 8:29
Me një ceremoni solemne sot në 80 – vjetorin e Betejës së Herticës u bë zbulimi i Lapidarit “Rezistenca Llapjane në kufirin e Herticës 1941-1944”.
Në këtë ngjarje mori pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lulzim Mjeku, Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, deputetë, drejtorë dhe asamblistë komunalë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, familje të dëshmorëve dhe martirëve si dhe banorë të fshatit Herticë.
Kryetari Bulliqi tha se “Kjo ngjarje historike është një kujtesë e rëndësishme për sakrificat e mëdha që bënë luftëtarët tanë në përballje me pushtuesit bullgarë dhe forcat serbo-jugosllave gjatë viteve 1941-1944. Dhe se ky lapidar simbolizon guximin dhe qëndresën e popullit tonë i cili edhe në kushtet më të vështira, luftoi për liri dhe dinjitet”.
Fjalë rasti mbajtën edhe imami Idriz Bilalli nga këshilli organizativ, profesori Raif Muçolli, historiani Skender Zhitia dhe Adem Ajvazi nga Shoqata e historianëve “Vendenisi”.
Manifestimi u pasua me recitale, këngë dhe valle dhe u përmbyll me një pikë muzikore nga këngëtarja, Edona Llalloshi.