2024/12/06 - 7:56
Kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtoresha e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lirie Hoti, zhvilluan një takim me fermerë, ku kanë diskutuar për kërkesat, sfidat e fermerëve, si dhe i informuan ata më shumë rreth projekteve të planifikuara për vitin 2025.
Kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur me pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre për bashkëbisedim me qëllim të një planfikimi sa më mirë që i përgjigjet nevojave të tyre.
“Takim si ky kemi zhvilluar edhe në vitin e kaluar, ku them me kënaqësi që përmes kërkesave tuaja ne orientuam edhe projektet në bujqësi për çka fermerët ishin të kënaqur dhe falënderues. Edhe këtë herë synojmë që kërkesat që i morëm sot do të na ndihmojnë në realizimin e projekteve sipas nevojave tuaja”, tha kryetari Bulliqi.
Gjatë këtij takimi fermerët paraqitën kërkesat dhe sugjerimet e tyre, të cilat do të trajtohen nga zyrtarët komunalë për t’u përfshirë pastaj në thirrjet publike të DBPZHR-së.
Kryetari Bulliqi i falënderoi fermerët për punën e vyer në zhvillimin e bujqësisë dhe u zotua se do të vazhdojë mbështetjen e iniciativave që përmirësojnë kushtet e jetës dhe punës së fermerëve duke iu ofruar mundësi dhe zgjidhje konkrete dhe një të ardhme më të begatë për ta.