Republika Kosovo

Srbica

Skenderaj dhe Kosova nëpërmjet znj.Arbnora Fejza-Idrizi, në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness”

2019/01/26 - 2:30

Sot, në sallën e Kuvendit Komunal, nën patronatin e Kryetarit të Komnuës së Skenderajt, z.Bekim Jashari, është organizuar ceremonia e prezantimit të Certifikatës së Librit të Rekordeve Botërore “Guinness”, për znj.Arbnorë Fejza-Idrizi, e cila ka thyer rekordin botëror me punimin e lules origami, si lulja më e madhe në botë.

Kryetari Jashari në fjalimin e tij, ka thënë se emri i qytetit tonë tashmë është i shkruar në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness”, për çka ndihemi krenarë , pas arritjes së madhe jetësore të znj.Arbnora Fejza-Idrizi, e cila ka thyer rekordin botëror që e mbante Franca, të punimit të lules origami, si lulja më e madhe në botë.

“Nuk kam si të mos ndihem i lumtur që jam kryetar i një komune të cilën bota sot e njeh nëpërmjet veprës së znj.Arbnorë.

Sot kemi organizuar ceremoni zyrtare të prezantimit të Certifikatës nga Libri “Guinness”, ku i kemi nderuar me mirënjohje ekipin mbështetës të znj.Arbnorë dhe profesorët e saj me të cilët ka realizuar këtë vepër botërore.

Mbështetja jonë për idetë kreative nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.

Faleminderit, znj.Arbnorë që na bëtë krenar!”, është shprehur kryetari Jashari.

Ndërkaq, znj.Fejza-Idrizi me këtë lule me diametër prej 8.7 metrash, mposhti shtetin e Francës, që mbante këtë rekord me lulen origami me diametër prej pesë metrash.
Ajo u shpreh krenare që arriti ta shkruajë emrin e Kosovës në një libër të famshëm si “Guinness”.

Njëherësh, ajo pohoi se qysh në fillim të projektit, kishte gjetur përkrahje nga komuna e Skenderajt.

“Meqenëse ky art është i zhvilluar vetëm në Japoni dhe në Kosovë nuk njihet, atëherë unë pata fatin që ta prezantoj punën time dhjetë vjeçare në Librin e Rekordeve ku njëkohësisht u zgjodha fituese.

Rruga drejt suksesit pa dyshim që ka sfida dhe vështirësi, mirëpo, dëshira dhe ëndrra ime ishte edhe më e madhe se të gjitha vështirësitë që kam hasur deri më tani”, ka thënë Fejza Idrizi, duke u bërë thirrje të rinjve që të punojnë për ëndrrat e tyre.

Në fund të ceremonisë, gjatë të cilës është shfaqur dokumentari i punimit të lules origami, kryetari Jashari ka ndarë mirënjohje për ekipin mbështetës dhe profesorët e Arbnora Fejza-Idrizi.