Republika Kosovo

Klina

Mbahet Seanca Solemne e Kuvendit Komunal për nderë të Ditës së Çlirimit

2019/06/18 - 6:34

Me rastin e shënimit të 20- vjetorit, Ditës së Çlirimit të Klinës, në sallën e Kuvendit Komunal, është mbajtur edhe Seanca Solemne ku kanë marrë pjesë, Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, këshilltarët e Kuvendit, drejtorë të drejtorive komunale, nënkryetari i Komunës së Preshevës, z. Armend Aliu, përfaqësues të Organizatave të dala nga Lufta dhe institucioneve lokale, përfaqësues të KFOR-it dhe OSBE-së dhe qytetarë të shumtë.

Seanca është kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e vendit
Me një fjalim rasti të pranishmëve iu është drejtuar kryetari, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i cili ka theksuar se njëzet vjet më parë ra perdja e hekurt e robërisë së këtij populli.

“Në ditën e sotme, 20 vjet më parë, në Klinë, si kudo në Kosovë, agoi dielli i dritës dhe i ngrohtësisë së lirisë së shumëpritur. Njëzet vjet më parë ra perdja e hekurt e robërisë së këtij populli, e bashkë me të u zhduk errësira; u shuan netët e gjata e të skëterrshme të robërisë shumëshekullore, përfunduan me dritën e mëngjesit kombëtar të fundshekullit të kaluar të qershorit të vitit 1999.

Lirinë që gëzojmë sot e kemi fituar me përpjekje dekadash e shekujsh. Lufta e këtij populli për lirinë e këtij vendi është e hershme sa edhe përpjekjet e tij gjatë rrugëtimit historik. I gjithë populli ka ndërtuar lirinë që kemi sot.
Mirëpo, më shumë se të tjerët, për lirinë që kemi sot, dhanë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë, që punuan për ideal, për të parë ditën e sotme. Një pjesë e këtyre bijave dhe bijve të paepur nuk patën jetë për ta parë misionin e përmbushur. U falemi përjetë atyre. U falemi përjetë atyre që ranë në altarin e lirisë e të kombit, duke bërë flijimin e madhërishëm. U falemi nga zemra sot, në Ditën e Lirisë e të Çlirimit tonë, edhe miqve tanë, si pjesë e aleancës më të madhe politike e ushtarake në histori, NATO-s, Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve të tjera mike, që na dolën në ndihmë për ta hequr një herë e përgjithmonë makinerinë e robërisë ushtarake dhe administruese të Serbisë.
Pjesëmarrës të nderuar,
Dita e sotme është Dita që përkujton sakrificën sublime, e cila mbolli rrënjët e lirisë dhe të ardhmërisë sonë, duke sublimuar qindra jetë dhe flijime për idealin dhe lirinë e popullit tonë; shënon në kujtesën tonë nderimin dhe përkuljen para veprës së tyre”, tha ndër të tjera kryetari Elezaj.

Aktivitetet për shënimin e ditës së çlirimit kanë vazhduar me Akademinë Përkujtimore dhe aktivitetet tjera kulturoro sportive.