Republika e Kosoves

Prishtinë

Kryetari i Komunës, në pajtim me dispozitat e LVL – së dhe Statutit të Komunës, është përgjegjës të:

a) përfaqësojë Komunën dhe vepron në emër të saj;

b) udhëheqë ekzekutivin e Komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyrë administrimin financiar të Komunës;

c) ushtrojë të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite Kuvendit të Komunës apo komiteteve të tij;

d) ekzekutojë aktet e Kuvendit të Komunës;

e) emërojë dhe shkarkojë zëvendësin e tij/saj;

f) emërojë dhe shkarkojë drejtorët, të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave;

g) organizojë punën dhe të drejtojë politikën e Komunës;

h) propozojë rregullore apo akte të tjera për miratim në Kuvendin e Komunës;

i) propozojë zhvillimin komunal, planet rregulluese dhe investuese, propozon buxhetin vjetor për miratim në Kuvendin e Komunës dhe ekzekuton buxhetin e miratuar;

j) raportojë para Kuvendit të Komunës për situatën ekonomike – financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të Komunës, së paku një herë në gjashtë muaj, apo kurdoherë që kërkohet nga Kuvendi i Komunës;

k) kërkojë që Kuvendi i Komunës ta shqyrtojë një akt komunal para hyrjes në fuqi, kur konsiderohet se akti bie në kundërshtim me legjislacionin në zbatimin, apo interesin e komuniteteve;

l) mbikëqyrë administrimin e përgjithshëm financiar;

m) delegojë përgjegjësi te anëtarët e Këshillit të Drejtorëve dhe të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive të deleguara;

n) të bëjë ndryshime në lidhje me funksionimin dhe numrin e drejtorive dhe funksionet e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi

o) të kryejë përgjegjësi të tjera të përcaktuara nga Kuvendi i Komunës.