Kuvendi i Komunës, mbajti mbledhjen e fundit të këtij vitit
2024/12/27 - 1:43
Këtë të premte është mbajtur mbledhja e fundit e Kuvendit të Komunës të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit Xhavit Zariqi, ndërsa kanë marrë pjesë edhe drejtorë të drejtorive komunale, por edhe anëtarët e KK-së.
Në këtë mbledhje drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Burim Bajrami ka bërë propozim-vendimi për miratim i raportit të komisionit lokal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, propozimi ky që u votua unanimisht.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë propozim-vendimi për plotësimin e listës së veçantë të pronave për dhënien në shfrytëzim për vitin 2025, por edhe propozim-vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e fushës së futbollit në fshatin Tërrn.
Është diskutuar edhe propozim-vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe bartjen e pronësisë së pronës së komunës në emër të Republikës së Kosovës, pjesën e ngastrës kadastrale me Nr.103-0 Z.K në Sojevë.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Arbër Bytyqi, në këtë mbledhje ka bërë propozim-vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesës së ngastrës kadastrale 1038-0 dhe 1039-0 të zonës kadastrale në Ferizaj, por pavarësisht diskutimeve të gjata kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për mbledhjen e radhës. Bile gjatë votimit të kësaj pike anëtaret e KK-së nga ana e opozitës kanë lëshuar edhe sallën.
Në këtë mbledhje me shumicë votash është votuar edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale 275-2 Z.K në Gërlicë të Ulët pronë e Komunës së Ferizajt.
Ndërsa drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, ka bërë propozim-vendimin për miratim të planit për barazi gjinore, ku ky plan u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtaret e kuvendit të komunës.