2024/03/15 - 11:16
Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj së bashku me ekipin e tij, kanë pritur sot në takim Përfaqësuesin Special dhe Udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Europian për Kosovë, Ambasadorin Tomáš Szunyog dhe Udhëheqësin e Zyrës për Bashkëpunim në kuadër të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë Johannes Stenbaek Madsen.
Ata kanë diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim në të ardhmen, ku Kryetari Rahimaj ka prezantuar potecialin e madh për zhvillim që ka Komuna e Kamenicës si dhe bashkëjetesën e pashembullt mes komuniteteve që jetojnë në Kamenicë.
Ambasadori Szunyog është shprehur falënderues për pritjen si dhe ka përshëndetur faktin e jetesës së qetë dhe nivelin e lartë të sigurisë që ka Kamenica.
Ata nuk kanë lënë pa përmendur edhe programet kryesore në të cilat Bashkimi Europian ka rolin kryesor, duke mos harruar edhe qasjen e Komunës së Kamenicës në raport me këto programe si dhe mundësitë e radhës për bashkëpunim.
Në kuadër të kësaj vizite ata kanë vizituar edhe sheshin e qytetit si dhe bizneset “Fungo FF” dhe “Liostep”, biznese këto të cilat janë financuar e ndihmuar nga Bashkimi Europian.
Kujtojmë se vizita të tilla të këtij kalibri, janë gjithnjë e më shumë duke u shtuar në Komunën e Kamenicës.