Republika e Kosoves

Kamenicë

Mbahet akademi përkujtimore për heroin Metush Krasniqi

2024/11/27 - 8:17

Nën patronatin e Kryetarit Kadri Rahimaj është mbajtur akademi përkujtimore për Heroin Metush Krasniqi.

Në këtë akademi të pranishëm ishin i pari i komunës Kadri Rahimaj, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, familja Krasniqi, përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politik dhe organizatave të veteranëve të luftës dhe qytetarë.

Duke përkujtuar jetën dhe veprën e heroit Metush Krasniqi, Kryetari Rahimaj në fjalimin e tij tha se ai nuk është thjesht një figurë historike, por është një gurthemel i ndërgjegjjes kombëtare dhe një krenari për Kamenicën, vendlindjen e tij, e cila i dha frymë një figure kaq të madhe.

“Metush Krasniqi na mësoi se të jetosh me ideal është të jetosh përtej vetes. Ai e shndërroi jetën e tij në një urë midis të kaluarës dhe së ardhmes, duke u përballur me burgun, torturat dhe kërcënimet, por duke mos u dorëzuar kurrë. Burgosjet e tij të njëpasnjëshme – pesë herë në kushte nga më të tmerrshmet – nuk ishin thjesht episode të një represioni brutal, por akte të rezistencës së heshtur”, ka thënë Kryetari Rahimaj.

Ndër të tjera i pari i komunës shtoi se shtatorja e tij, që prej sot do të qëndrojë në mes të qytetit, ku do të jetë si dëshmi e pavdekësisë së tij shpirtërore, pra do të jetë përtej thjesht një monumenti të bronztë pasi që Metush Krasniqi na kujton se liria nuk është vetëm një e drejtë e lindur, por edhe një përgjegjësi që kërkon guxim dhe përkushtim.

“Kamenica, vendlindja e këtij kolosi, ka arsye të ndjehet krenare. Ajo ka dhënë një nga figurat më të ndritura të kombit, një njeri që nuk u përkul kurrë përballë asnjë kërcënimi. Në botën e sotme, shpesh të përçarë nga interesat e vogla dhe pasiguritë, figura e tij është një thirrje për të parë përtej vetes, për t’u bashkuar rreth vlerave që na lidhin dhe për të ruajtur të pacenuar atë që është thelbësisht e jona, dinjiteti dhe uniteti kombëtar. Duke përkujtuar Metush Krasniqin, ne nuk përulemi thjesht para së kaluarës, por afirmojmë detyrimin tonë ndaj së ardhmes. Kujtimi për të është më shumë se një histori; është një kujtesë për të mbajtur gjallë idealet që ai mishëroi dhe për të qenë gjithmonë vigjilentë ndaj thirrjes për drejtësi dhe liri”, përfundoi Kryetari Rahimaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se heroi Metush Krasniqi ishte njëri prej veprimtarëve më të paepur për idealet kombëtare e politike të kohës së tij.

“Me ngritjen e shtatores së tij në Kamenicë, ne përveçse e nderojmë personalitetin e Metush Krasniqit, e fiksojmë figurën historike që ai përfaqëson dhe i bëjmë vend traditës politike të cilës i takonte ai dhe trashëgimisë politike të lënë pas ndër ne prej saj dhe prej vetë atij. Lavdi Metush Krasniqit dhe gjithë atyre që e sakrifikuan jetën e tyre duke u angazhuar sikur ai për lirinë e atdheut”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Kjo akademi është përmbyllur me zbulimin e shtatores së heroit Metush Krasniqi në Bulevardin e Qytetit të Kamenicës.