2024/11/06 - 8:54
Sot u mbajt ceremonia e përurimit të punimeve në Platformën “Arbëri – Pallati i Rinisë,” një projekt transformues dhe me rëndësi të madhe për zhvillimin urban të kryeqytetit. Ky projekt ka për qëllim krijimin e një hapësire multifunksionale që lidh qendrën e qytetit me lagjen Arbëria, duke ofruar mundësi të reja për banorët e Prishtinës.
Në ceremoni morën pjesë Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, të cilët theksuan rëndësinë e projektit për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e infrastrukturës urbane.
“Ky projekt do të ndërlidhë lagjen Arbëria, ku jetojnë mbi 30 mijë banorë, me qendrën e qytetit. Premtimet po i shndërrojmë në realitet, dhe përmes dedikimit profesional dhe planifikimit të mirë, po e kthejmë Kryeqytetin në një metropol të vërtetë. Përfitimet e kësaj platforme do të jenë shumëdimensionale,” – theksoi Rama.
Ndërkohë, Kryetari i LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, shprehu mbështetjen e tij për projektin, duke theksuar se ai përfaqëson një gurthemel në zhvillimin e qytetit. “Përparimi po lë një shenjë historike në Prishtinë, duke përmbushur një premtim të fushatës elektorale për lidhjen e Arbërisë me qendrën e qytetit. Jemi krenarë dhe mbështetës për këtë arritje!”
Platforma “Arbëri – Pallati i Rinisë” pritet të bëhet një qendër dinamike e aktiviteteve dhe një pikë referimi e re për të gjithë qytetarët e Kryeqytetit.