Republika e Kosoves

Ferizaj

Historiku

* Ferizaj është qytet i ri, por rrethina e tij ka qenë e banuar 6 deri 8 mijë vjet më herët. Gjetjet arkeologjike në Varosh, 3 km në jug të Ferizajt, dëshmojnë se këto anë banoheshin që në kohën e neolitit të hershëm. Banorët e parë nuk e kultivonin shkrimin, prandaj nuk dihet shumë për popujt e lashtë që zëvendësuan njëri-tjetrin përgjatë disa mijëvjeçarëve, deri në pjesën e fundit të epokës së bronzit.

 *  Që nga shekulli VIII para Krishtit e deri tek pushtimet romake, Ferizaj dhe rrethina e tij u banua nga dardanët. Kodërvarre dardane janë gjetur në rajonin e Ferizajt, në Gurëz dhe në Mollopolc.

 * Në vitin 96 para Krishtit, Dardania pushtohet nga Perandoria Romake, prandaj edhe rrethina e Ferizajt bie nën sundimin romak.

 * Nga shekulli IV pas Krishtit e deri në në shekullin XV, rrethina e Ferizajt u sundua nga bizantinët, bullgarët dhe serbët. Historianët besojnë se gjatë këtyre shekujve, një substrat ilir, i ndikuar nga elementi latin, grek, sllav etj., krijoi një etni, e cila deri kah shekulli XVIII njihej si arbër.

 * Në shekullin XV edhe rrethina e Ferizajt u vu nën sundimin turk, i cili zgjati deri më 1912.

 * Ferizaj zë fill më 1873 me ndërtimin e hekurudhës Mitrovicë – Shkup. Në pjesën e dytë të shekullit XIX udhëpërshkruesit flasin për një han të Feriz bej Shasivarit, sipas të cilit e mori emrin ky vendbanim, që brenda pak dekadash u bë qytet, i populluar kryesisht nga tregtarë e zejtarë. Piktura e hanit të Feriz beut është pjesë e emblemës së Komunës së Ferizajt.

 * Në prill të vitit 1881 rrethina e Ferizajt u bë arenë luftimesh të ashpra ndërmjet trupave shqiptare, të udhëhequra nga Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Binak Alia, etj. dhe një ekspedite turke, të komanduar nga Dervish Pasha, e cila synonte shuarjen e organizimit vendës politik dhe ushtarak të Lidhjes së Prizrenit. Përleshj të ashpra u zhvilluan më 20 dhe 21 prill në Slivovë, afër Ferizajt. Për të ngritur moralin e luftëtarëve të tij, Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës, i vuri gjoksin topit turk, duke u përjetësuar në histori për trimëri të paparë. Figura e tij është vendosur në stemën e komunës së Ferizajt.

 * Në korrik 1908 në Ferizaj u mblodh një kuvend i madh i shqiptarëve, i cili i drejtoi telegram selisë së Perandorisë Otomane, me kërkesa për të drejta politike, administrative, arsimore e kulturore të shqiptarëve. Kuvendi inicoi ndryshime të rëndësishme politike në perandori.

 * Më 14 gusht 1912, forca të kryengritjes shqiptare, të udhëhequra nga Isa Boletini e Idriz Seferi, u nisën nga Ferizaj, sulmuan formacionet turke dhe e çliruan Shkupin. Kryengritja shkaktoi tronditje në qeverinë turke dhe fillimin e negociatave me krerët e kryengritjes.

 * Më 25 tetor 2012, pas rezistencës dhe përleshjeve disaditëshe me mbrojtësit shqiptarë, forcat e ushtrisë serbe hynë në Ferizaj. Nga kjo ditë nisi mbisundimi 87-vjeçar i pushtetit serb në Ferizaj dhe në Kosovë.

 * Më 17 nëntor 1944 në Ferizaj përfundojnë përleshjet e brigadave partizane me forcat antikomuniste dhe fillon ndërtimi i pushtetit socialist, i cili zgjat deri më 1990.

 * Në ditët e fundit të nëntorit 1968 në Ferizaj shpërthyen demnostratat e nxënësve, qytetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, me kërkesa për më shumë liri dhe të drejta kombëtare. U arrestuan dhjetëra qytetarë dhe organizatorë.

 * Më 3 prill 1981, edhe Ferizaj u përfshi nga demonstratat e nxënësve, studentëve, punëtorëve e intelektualëve shqiptarë, me kërkesa për republikën e Kosovës. U vranë tre dhe u plagosën e u burgosën më shumë veta nga ndërhyrja e policisë.

 * Më 12 qershor 1999, në Ferizaj hynë forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të NATO-s, duke i dhënë fund sundimit 87-vjeçar serb. Në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe gjatë viteve 1998 – 1999, në rrethinat e Ferizajt ranë 58 dëshmorë, dhjetëra civilë shqiptarë u vranë, ndërsa u dogjën mijëra shtëpi. Mbi gjysma e popullatës shqiptare të Ferizajt ishte dëbuar jashtë Kosovës nga regjimi serb i Milosheviqit.