Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Komuna e Fushë-Kosovës ndihmon QKUK-në

2011/09/06 - 2:16

Furnizimi me barna në qendrën Klinike Universitare të Kosovës, asnjëherë nuk ka qenë në nivelin e duhur, kurse këto ditë, kur janë vendosur masat e reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë, ka pasur ankesa të mëdha të mungesës së barnave esenciale, madje edhe ato që janë të domosdoshme për intervenime emergjente.

Këto ditë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i ka ofruar ndihmë Komuna e Fushë-Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

QKUK-ja ka pranuar nga kjo Komunë një donacion, në vlerë prej 150.000 euro pajisje mjekësore dhe 30.000 euro barna e material shpenzues. Komuna e Fushë-Kosovës këtë donacion e kishte marrë më parë, për nevoja të veta, nga organizata humanitare “Human Bridge” nga Suedia.

U.d ekzekutiv i QKUK-së, z. Lulzim Emini, para disa kohe kishte vënë kontakte me Drejtorinë për Shëndetësi të kësaj Komune, me ç’rast ishin pajtuar që për shkak të nevojave të mëdha që ka QKUK-ja ky donacion t’i dhurohet pikërisht QKUK-së. Donacioni në vlerë prej 180.000 euro përmban 8 aparate të anestezionit, 3 respiratorë, 5 monitorë, 16 pompa infuzive, 16 shiringa pompa dhe një aparat për kardiokirurgji, si dhe material tjetër shpenzues.