Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

U prezantuan rezultatet e IKK (Indeksi i Konkurrencës së Komunave) për vitin 2014

2014/10/27 - 10:13

Para zyrtarëve komunal të Fushë-Kosovës, sot u bë prezantimi i rezultateve të IKK-së. Raporti i Indeksit të Konkurrencës së Komunave paraqet pikëpamjet e 3.052 bizneseve të Kosovës dhe ofron analizë të përpiktë të qeverisjes me ekonominë dhe me mjedisin rregullator në Kosovë. Duke filluar prej raportit të parë të IKK-së në vitin 2011, objektivi ka qenë të identifikohen dhe të tejkalohen sfidat me të cilat ballafaqohet biznesi rreth kuptimit në tërësi të rregulloreve dhe kërkesave të qeverisë, dhe më e rëndësishme, të identifikohen fushat për përmirësim të cilat do të rrisin investimet, vendet e punës, performancën e ndërmarrjeve, dhe rritjen ekonomike, u tha në fillim të prezantimit të këtyre rezultateve.

Në vitin 2014, Fushë-Kosova është renditur e para në nën-indeksin e “Transparencës”, me rezultat prej 9.55 prej 10 të mundshme. Bizneset e intervistuara në këtë komunë e konsiderojnë qasjen në buxhetin komunal dhe dokumentet e planifikimit si shumë të lehtë. Ata po ashtu e konsiderojnë të jetë shumë e lehtë edhe qasja në rregulloret komunale dhe dokumentet e politikave, informatat apo formularët lidhur me licencat komunale apo sistemin e lejimit, e gjithashtu edhe informatat për tenderët e ardhshëm komunal. Me rastin e publikimeve të rezultateve të IKK-së për vitin 2013 (Indeksi i Konkurrencës të Komunës) , Komuna e Fushë-Kosovës ka ndërmarrë një vlerësim të situatës lidhur me faqen zyrtare të komunës, dhe rrjedhimisht veprimet për të përmirësuar përmbajtjen dhe përditësimin e saj. Faqja e komunës përditësohet në bazë ditore dhe ofron informatat lidhur me të gjitha projektet dhe arritjet e pushtetit vendor. Të gjitha dokumentet publike, rregulloret e komunës, vendimet, planet zhvillimore, dhe informatat e tjera si dhe raportet e autoriteteve të komunës janë të dhëna në faqen e internetit. Me qëllim të përmirësimit të transparencës, Fushë-Kosova ka faqen e vet edhe në media shoqërore, në Facebook, të cilën e shfrytëzojnë për të informuar palët e interesuara për aktivitetet e ndërmarra nga ana e pushtetit  lokal.