Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Fushë-Kosova, me aktivitete të shumta, shënoi 8 Vjetorin e Pavarësisë

2016/02/18 - 2:21

Nën petkun e flamurit shtetëror dhe me plot aktivitete kulturore e sportive, komuna e Fushë-Kosovës shënoi 8 Vjetorin e Pavarësisë. Aktivitetet kishin filluar që nga e shtuna, pra që nga data 13.02.2016, kur në Fushë-Kosovë u organizua turniri i futbollit me fëmijët në moshë sa ka edhe pavarësia e Kosovës. Pjesëmarrës ishin ekipe nga Kosova dhe Shqipëria për të cilët në përmbyllje të këtij aktiviteti u ndanë kupa, mirënjohje e medalje. Fëmijët e kopshtit “Gëzimi Ynë”, të veshur me kostume të zgjedhura dhe me një program të pasur me këngë, valle e recitime u bënë pjesë e shënimit të 8 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në ndërkohë, në përkujdesje të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në ambientet e Shkollës së Mesme “Hivzi Sulejmani” është shfaqur një program i pasur me këngë, valle e deklamime të zgjedhura për këtë festë. Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan zyrtarë të lartë të komunës. Gjatë ditës, në organizim të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si nikoqire, dhe në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Kosovës, u organizua turniri i shahut “Përvjetori i Pavarësisë 2016”, ku në prezencë të mbi 100 pjesëmarrësve hapjen e bëri Kryetari i Komunës, Burim Berisha, i cili pasi foli për rëndësinë e kësaj dite, ndër të tjera tha se ‘këtë garë do ta bëjmë tradicionale dhe se komuna jonë do të jetë nikoqire e këtij sporti edhe në të ardhmen’. Në përfundim të turnirit Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nurije Avdiu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe ndau kupën për fituesin e këtij turniri Sulejman Suljovic nga Sanxhaku, i cili u rendit në vendin e parë, ndërsa mirënjohje ndau për vendin e dytë, tretë, katërt, pestë dhe gjashtë.

Dita e djeshme u përmbyll me vendosjen e kurorave dhe nderimeve pranë varrezave të dëshmorëve dhe të rënëve në komunën e Fushë-Kosovës. Kryetari i Komunës, Burim Berisha, me bashkëpunëtorë, bëri homazhe dhe nderoi të rënët e komunës sonë.