2017/02/20 - 9:56
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, me bashkëpunëtorë, për nder të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka bërë homazhe në varrezat e qytetit në nderim të jetës, idealit dhe aspiratave që kishin dëshmorët, heronjtë dhe martirët e rënë në luftën për lirinë e vendit.
Kryetari Berisha, pas homazheve në kompleksin memorial te varrezat e të rënëve, tha: ‘se po punojmë intensivisht në realizimin e aspiratave të dëshmorëve dhe idealit të tyre për zhvillimin e vendit. Natyrisht që duhet të bëjmë edhe më shumë dhe t’i realizojmë qëllimet që të rënët kishin për vendin e tyre’.
Kryetari Berisha në fjalën e tij iu uroi të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës festën e Pavarësisë së Kosovës, e posaçërisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të UÇK-së.
Ndryshe, gjatë kësaj dite Komuna e Fushë-Kosovës përpos homazheve në axhendën e saj festive pati edhe një mori aktivitetesh. Në ora 11:00 u mbajt Turneu Tradicional i Shahut “Përvjetori i Pavarësisë”, i organizuar dhe mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku morën pjesë rreth 200 garues nga Kosova dhe rajoni. Turneun e hapi Kryetari i Komunës duke uruar garuesit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në ora 11:30 u mbajt koncert nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës”, për të përmbyllur kështu shënimin e 17 Shkurtit si një ditë me rëndësi për Komunën dhe për Kosovën.