Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Olimpiada e 25 mbarëkombëtare e Matematikës

2020/05/20 - 1:55

Në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID-19, edhe komuna e Fushë-Kosovës është përkushtuar pothuajse ekskluzivisht në luftën kundër kësaj të keqe globale, për dy muaj rresht, duke lënë kështu anash shumë aktivitete kulturore e sportive, të parapara për tu realizuar. Kjo në përputhje gjithherë me rekomandimet e IKSHPK.

Duke marrë parasysh se jemi në prag të datës së paraparë të organizimit të Olimpiadës së 25 Mbarëkombëtare të Matematikës, dhe se për shkak të situatës pandemike një gjë e tillë është e pa mundur të realizohet, jo edhe për një kohë të caktuar. Komuna e Fushë-Kosovës nuk ka se si mos të ndihet e hendikepuar, pa këtë ngjarje madhështore, sepse pikërisht Fushë-Kosova do të ishte nikoqire e këtij manifestimi.

Me një angazhim të madh të aktivit të mësimdhënësve të matematikës në komunën tonë dhe me një përkrahje nga institucionet e komunës e në veçanti të kryetarit z.Burim Berisha, ishin bërë të gjitha përgatitjet për ta jetësuar këtë projekt shume të rëndësishëm, projekt ky i nisur 25 vite më parë nga Shoqata e Matematikanëve “Paskal” dhe redaksia e Revistës “Plus” nga Tetova e cila luan një rol shumë të madh në popullarizimin e matematikës si dhe krijimin e shumë urave miqësie e bashkëpunimi mes nxënësve, arsimtarëve, familjeve dhe institucioneve të të gjitha trevave shqipfolëse.

Me shpresë se këtë situatë do ta kalojmë pa pasoja sidomos tek nxënësit, urojmë më të mirën që punët e lëna në gjysmë ti vazhdojmë sa më shpejtë.