2023/06/08 - 3:45
Me propozimin e Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës dhe me miratimin e Asamblesë Komunale në seancën e fundit, Kryetari Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha sot në një pritje madhështore i ka dorëzuar certifikatën – mirënjohjen “Qytetar Nderi” Shkrimtarit Ismail Kadare.
Kryetari Berisha në fjalën e tije përshëndetëse tha se zoti Kadare ka qenë frymëzimi ynë, ka qenë gjuha jonë, kënga jonë, gjithçka që kemi mësuar, kemi mësuar përmes tij. Është krijuar një popull që është rritur me veprën e të madhit Ismail Kadare, andaj një rrugë e qytetit bashkë me Bibliotekën e Fushë-Kosovës do të marrin emrin e Ismail Kadaresë.
Duke ju drejtua të pranishmëve, shkrimtari Ismail Kadare në fjalën e tij falënderuese tha: “Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje të bukur që tregon jo vetëm fuqinë e shqiptarisë, por fisnikërinë e këtij kombi i cili është një nga kombet kryesore të Evropës. Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij, qytetërimin evropian. Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time”.