Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Është inauguruar shërbimi i urgjencës në QKMF në Fushë-Kosovë

2015/10/06 - 12:34

Në prezencë të kryetarit të komunës z. Burim Berisha dhe ministrit të shëndetësisë z. Imet Rrahmani, është përuruar shërbimi i urgjencës në QKMF “Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, kryetari Berisha dhe ministri Rrahmani thanë se me hapjen e këtij shërbimi, qytetarëve të Fushë-Kosovës do t’iu ofrohet shërbim edhe më i shpejtë dhe më cilësor. Bazuar në numrin e madh të vizitave të cilat vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë realizuar rreth 57.000 vizita mjekësore, ky shërbim ka qenë më se i domosdoshëm për komunën e Fushë-Kosovës.

Ministri i shëndetësisë, z. Imet Rrahmani duke falënderuar për punën dhe angazhimin e punëtorëve shëndetësor të QKMF-së tha se hapja e kësaj urgjence kontribuon në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore si dhe kthimin e besimit të qytetarëve në shëndetësinë kosovare.

Ndërtimin e urgjencës e ka ndihmuar financiarisht komuna e Fushë-Kosovës.

Pas inaugurimit të shërbimit të urgjencës, ministri Rrahmani dhe kryetari Berisha biseduan me stafin e QKMF-së ku u njoftuan nga afër për rrjedhat e deritashme dhe për vështirësitë të cilat i përcjellin në punën e tyre.