2019/06/13 - 3:26
Njëzet vjetori i çlirimit të Kosovës është shënuar edhe në komunën e Fushë- Kosovës me një varg aktivitete.
Ishte vendosja e kurorave pran varrezave të dëshmorëve dhe martirëve që i parapriu vënies së gurëthemelit të shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në parkun e qytetit. Vendosjen e gurëthemelit e bënë nënkryetari i komunës së Fushë Kosovës z.Fadil Krasniqi dhe përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta si dhe familjar të dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e këtij vendi.
Programi kulturorë filloi me fjalën e nënkryetarit të komunës së Fushë Kosovës z.Fadil Krasniqi i cili duke ju drejtua të pranishmëve ndër të tjera tha:
“Sot kur po shënojmë 12 Qershorin Ditën e Çlirimit të Komunës së Fushë Kosovës më lejoni që në emër të udhëheqjes më të lartë të komunës të shpreh ndjenjën e gëzimit dhe të krenarisë para jush se tani të gjithë së bashku ndihemi më ndryshe nga viti në vit.
E them këtë për një arsye të vetme se: Tani të gjithë ne e kemi një jetë krejt më ndryshe më të mirë më prosperuese, më të sigurt dhe më të këndshme, e këtë e kemi arrit së bashku me ju qytetarë të nderuar të komunës së Fushë Kosovës, në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me të gjithë mekanizmat e komunës, me Institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, Partitë Politike, me Policinë, Forcën e Sigurisë, Shoqërinë Civile, dhe Institucionet Ndërkombëtare.
Sprovën që kishim, se shteti duhet të funksionoj, po e bëjmë një realitet drejt një ecje të sigurt për të përmbush obligimin qytetar që kemi dhe për të bërë komunën tonë një komunë shembull në gjithë Republikën e Kosovës.
Përpjekja jonë brenda këtyre viteve ishte arritja e sa më shumë rezultateve e që nuk ishin të pakta. Më duhet të përmendi se shërbimet e administratës komunale vazhdojnë të jenë sa më pranë qytetarëve.
Kjo udhëheqje dhe kjo administratë vazhdon të ketë një buxhet të vogël në krahasim me nevojat, prandaj arritjet janë rezultat i një menaxhimi të kujdesshëm që ka tregu kjo udhëheqje.
Veçantia e kësaj ditë është vënia e gurëthemelit të shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në parkun e qytetit këtu në Fushë Kosovë e ku kontributin e çmuar për këtë iniciativë e kanë dhënë udhëheqësit e Shoqatave të dalura nga lufta dhe këshilltarët e kuvendit komunal.
Dua të ceki se edhe më tutje jemi duke u kujdes që të shtrojmë çdo pëllëmbë të rrugëve të pashtruara, të jenë të përfunduara sa më shpejt të gjitha nyjet e kanalizimeve dhe të ujësjellësve, të ofrohen hapësira për parkingje, parqe dhe trotuare, salla dhe terrene të shumta sportive, do të vazhdohet me një përkujdesje tepër të veçantë çështja e ambientit. Angazhimi ynë do të vazhdon në ngritjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës shkollore si dhe në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënje, ndërtimi i sallave të sportit. Aktivitetet tona po ashtu nuk ishin të pakta gjatë kësaj periudhe edhe në fusha tjera gjatë këtij vit si në Shëndetësi, Shërbime Publike Bujqësi, Kulturë Inspekcion etj.
Më lejoni që nga këtu – në emër të udhëheqjes më të lartë të komunës, të ju siguroj dhe të ripërsëris se personalisht e së bashku me gjithë administratën komunale, do të vazhdojmë me vullnetin dhe përkushtimin për të vazhdua edhe më tutje misionin që na është besuar nga ju.
Realitetin e ri që po e krijojmë ngadalë e të sigurt për një zhvillim më të madh ekonomik, për një jetë të qetë dhe të dashur për të gjithë qytetarët e komunës pa dallim etnie apo feje, pa dallime ideologjike apo partiake na bën që edhe një herë të apeloj te të gjithë qytetarët që bashkërisht të punojmë në punët tona konkrete dhe të përditshme. Të kujdesemi për një të ardhme më të mirë dhe prosperuese për brezin që po vije.
Si çdo herë në këtë 12 Qershor kujtojmë sakrificën e UQK- së dhe të gjithë atyre që derdhën gjakun për Lirinë e Kosovës andaj më lejoni të ju uroj dhe të ju përgëzoj për gjithë atë që keni bërë dhe po bëni që bashkërisht të ndërtojmë idealin e atyre që na dhuruan këtë ditë të gëzuar, të lumtur dhe të shenjtë”, tha në fund të fjalës së tij z. Fadil Krasniqi.
Prezantimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kosovës” para të pranishmëve ishte mbresëlënës. Këngët dhe vallet e zgjedhura për këtë manifestim qendrorë, ishin impresionuese.
Në kuadër të aktiviteteve përmbyllëse, për nder të ditës së çlirimit, filloi Festivali Internacional i Pikturimit ku po marrinë pjesë 47 piktorë të njohur nga gjithë Evropa.
Me të gjitha këto aktivitete të zhvilluara nën përkujdesje të Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport, qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës ishin pjesë e shënimit të “12 qershorit ditës së çlirimit”.