2022/06/13 - 1:42
Me një seancë solemne të kuvendit të komunës së Fushë-Kosovës është shënuar dita e çlirimit, 12 qershori. Në hapje të seancës kryesuesi i kuvendit z.Ali Ismaili tha se 12 qershori është data e arritjes së qëllimit përpjekjes, vuajtjeve, ëndrrave, besimit, lidhjes vëllazërore, protestave dhe luftës jo të barabartë të popullit tonë të cilin e kanë përcjell këto sfida deri në çlirimin përfundimtar nga pushtuesi i pa ngopur serb.
Tutje z.Ismaili tha se lufta për liri dhe pavarësi ishte rruga e vetme nëpër të cilën duhet të ecnin gjenerata e gjenerata dhe të sakrifikohen bijtë e bijat më të mira të këtij kombi deri në kurorëzimin e fitores së madhe.
Në fund të fjalës së tij, kryesuesi Ali Ismaili tha se për këto ditë natyrisht duhet ta falënderojmë zotin e madhërishëm pastaj luftëtarët dhe dëshmorët e kombit të plagosurit pastaj veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, familjet e të zhdukurve, aleatët tanë ndërkombëtarë dhe institucionet tona shtetërore si dhe secilin qytetarë të Republikës së Kosovës që bëjnë përpjekje të vazhdueshme për qëndrim, zhvillim dhe synim në integrimin në familjen e madhe euro-atlantike.
Pas fjalës së z.Ismaili të pranishmëve ju drejtua nënkryetari i komunës së Fushë-Kosovës z. Fadil Krasniqi i cili në mes tjerash tha se “Kjo datë si edhe shumë data tjera historike, na kthejnë tek burimi i saj, na kthejnë në respektimin dhe nderimin e veprës dhe kontributit të gjeneratave të tëra për lirinë e vendit, sepse ata e bënë historinë, ata i dhanë kuptim e vlerë lirisë, sepse ata dizajnuan, unifikuan dhe punuan fortë për trojet tona e për atdheun tonë edhe me miq ndërkombëtarë që vendi ynë të gëzoj lirinë dhe pavarësinë”.
z.Krasniqi, poashtu tha se gjatë këtyre 23 vjet të lirisë edhe komuna e jonë, ka shkuar me ritme të shpejta të zhvillimit kështu që sot Fushë-Kosova është një qytet me mundësi reale për t’u zhvilluar ku mund të jetohet e punohet lirshëm e me dinjitet. Prandaj të punojmë edhe më shumë që ta ndërtojmë Fushë-Kosovën, ta bëjmë të qëndrueshme, lehtë të arritshme dhe efikase me vetëbesim, ta bëjmë një komunë të dinjitetshme me një ambient optimist dhe shumë motivues për të jetuar e punuar me nder.
Para këshilltarëve komunal dhe të ftuarve të tjerë me fjalime u paraqitën edhe z.Avdyl Krasniqi, Kryetar i OVL UÇK në Fushë-Kosovë si dhe shefat e grupeve parlamentare të partive politike të përfaqësuara në kuvend.
Pas përfundimit të kësaj mbledhje solemne u vendosën kurora pran përmendores së komandantit legjendar Adem Jashari pastaj te varrezat e martirëve dhe dëshmorëve në komunën e Fushë-Kosovës.
Shënimin e 12 qershorit e bëri edhe më madhështore aktiviteti i klubit Aeronautikë “Shqiponjat” me paragliding që u mbajt në Kalanë e Harilaqit.