Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Filloi realizimi i projektit për gërmime dhe konservime në Kalanë e Harilaçit

2015/08/21 - 1:49

Në funksion të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore-arkeologjike, dhe me synim shndërrimin e Kalasë së Harilaçit në një pikë tejet atraktive për vizitorë dhe me mundësi reale në gjenerimin e të hyrave materiale, parashihen të realizohen konservime dhe restaurime në kompleksin e portës 4 e cila është e përforcuar me dy kulla kënddrejtë si dhe përgjatë linjës së murit rrethues lindje-perëndim i cili paraqet pjesën më të dëmtuar dhe të ndjeshme në tërë sipërfaqen e murit fortifikues.

Në funksion të punëve në konservimin dhe restaurimin e strukturave arkitekturore në kala, parashihen të realizohen edhe gërmime arkeologjike në funksion të konservimeve.

Fakti se ky kompleks arkeologjik ndodhet fare pranë aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, është një mundësi shtesë që duhet shfrytëzuar, dhe nga ana tjetër investimet e bëra viteve të kaluara nga Komuna e Fushë-Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në infrastrukturë, si në asfaltimin e rrugës deri në afërsi, pastaj rregullimin e parkingut dhe shkallëve si dhe rrethimin e hapësirës, kanë krijuar parakushtet kryesore të cilat duhet të avancohen me projekte serioze konservuese-restauruse dhe të infrastrukturës brenda kalasë me qëllim të valorizimit të kësaj perle arkeologjike.

Andaj, realizimi i  një projekti të përmasave të tilla, përveç promovimit të trashëgimisë kulturore, do të shndërrohej edhe në një katalizator për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

 

Komuna e Fushë-Kosovës – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me MKRS dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës, po bashkëfinancojnë këtë projekt i cili ka filluar të realizohet në fund të muajit korrik e që do të vazhdoj së paku 3 muaj nëse lejojnë kushtet atmosferike.