Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

I ndjeri Triumfi, nderohet nga klubet e tij

2015/07/02 - 1:03

Në stadiumin “Ekrem Grajqevci” është zhvilluar ndeshja miqësore futbollistike mes Fushë-Kosovës dhe Ferronikelit, në përkujtim të Triumf Shabanit, ish/lojtarit të këtyre dy ekipeve, i cili një vit më parë ndërroi jetë derisa ishte duke luajtur futboll me shokët e tij.

Rreth 1000 tifozë ishin mbledhur në stadiumin e qytetit të Fushë-Kosovës për të kujtuar Triumfin, i cili hapat e parë në futboll i mori po në këtë ekip.

Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultat të barabartë 4:4 dhe fituesi u përcaktua përmes penalltive, ku Fushë-Kosova u tregua më e saktë, 4:3.

Topin nga pika e bardhë, për të filluar ndeshja, e ka nisur nipi i Triumf Shabanit i cili barte një fanellë me fotografinë e Triumfit.

Edhe pse rezultati nuk ishte në rend të parë, ndeshja në fillim ishte mjaft e barabartë.

Ngjarje e veçantë ka ndodhur pak sekonda para se Gjyqtari, Fatlum Berisha, ta ndërprejë lojën në minutën e 18, siç ishte e paraparë me koreografi, saktësisht në minutën e 18, numër të cilin e ka bartur me vite Triumfi, Faton Rama realizoi për epërsinë e Fushë-Kosovës.

Me t’u shënuar goli i parë, fillon koreografia e përgatitur nga tifozët e Fushë-Kosovës “PAMPURAT” ku shfaqën një baner gjigant me portretin e Triumfit dhe numrin që mbante në fanellë, duke u duartrokitur nga të gjithë shikuesit e pranishëm në stadium.

Befasia tjetër e kësaj ndeshjeje përkujtimore ishte: Adonis Breznica i cili në minutën e 22-të realizoi golin e dytë për Fushë-Kosovën, numrin 22 Triumfi e ka bartur sa ishte lojtar i KF-Ferronikelit.

Pasi koha e rregullt përfundoi 4:4, fituesi u desh të përcaktohej me penallti. Më të saktë u treguan lojtarët e Fushë-Kosovës të cilët fituan 4:3.

Komuna e Fushë-Kosovës për ekipin fitues ndau kupën e turnirit, ndërsa për të dy ekipet ndau edhe medalje me shumë vlerë në të cilat ishte vendosur fotografia e Triumf Shabanit.

Kujtojmë se, Triumf Shabani, i cili ishte në fillim të karrierës, vetëm 20 vjeçar, vdiq më 28 qershor të vitit 2014 gjatë muajit të shenjtë të ramazanit pas një sulmi në zemër, derisa ishte duke luajtur futboll me shokët e tij.

Organizimin e kësaj ndeshjeje përkujtimore e ka mundësuar Komuna e Fushë-Kosovës,  e cila  premtoi se ky turnir do të jetë tradicional. Pas ndeshjes për të dyja ekipet është shtruar iftar, mundësuar nga Drejtoria e Financave e Komunës së Fushë-Kosovës.