Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Informatë e Komunës së Fushë-Kosovës lidhur me një raport të GAP

2015/09/10 - 12:45

GAP mashtron për Komunën e Fushë-Kosovës, e pret padia në gjykatë.

Për këtë mashtrim të opinionit publik do të bëjmë padi ndaj GAP për denigrim, shpifje dhe mashtrim, pasi që kjo nuk është hera e parë që ky gjoja institut, në mënyrë qesharake nxjerr performanca të Komunave për interesa të caktuara politike.

Në gazetën Koha Ditore dhe në Portalin Koha.Net, më 24 janar 2014, është botuar një informatë bazuar në një raport të GAP-it, në të cilin vihet në theks se Fushë-Kosova ka përqindjen më të vogël në përmbushjen e premtimeve! GAP që vazhdimisht bën raporte të pambështetura duke formuar ranglista sipas preferencave të Vetëvendosjes për Komunën tonë, nuk paraqet asnjë fakt për të arsyetuar përfundimet e këtij raporti  ofendues, paragjykues dhe mashtrues.

Përmbushjen e premtimeve më së miri e dinë dhe e ndjejnë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës.

GAP duhej të kishte parasysh se për vitin 2014  jemi komuna e parë në Kosovë për grumbullimin e të hyrave vetanake për kokë banori dhe km katrorë e 7-ta për nga madhësia e të hyrave duke lënë pas edhe komuna të mëdha, me popullsi dhe territor dyfish më të madh se Komuna jonë.

Jemi Komuna me një shpenzim pothuajse maksimal të buxhetit në mënyrë efikase, me 90%.

Gjatë vitit 2014 kemi realizuar mbi 130 projekte me rreth 10 milion euro investime së bashku me donatorë, duke përfshirë rregullimin e lumenjve, përfundimin e të gjitha kanalizimeve dhe ujësjellësve në tërë territorin e Komunës, që e fsheh GAP-i, ndërtuam mbikalimin në Fushë-Kosovë, realizuam 100% të premtimit për kabinete në shkolla, ndërtuam 3 salla sportive dhe 2 fusha të sportit, dhamë mbështetjen me 200 mijë euro për të gjithë sportistët e Fushë- Kosovës, investuam  400 mijë euro në shëndetësi dhe po kështu edhe në shumë projekte të tjera, të cilat më së miri i dinë qytetarët tanë. Ndërsa sa i përket partneritetit privato- publik, ndër projekte tjera, për shkak të interesit aktual të opinionit publik, informojmë se jemi duke vazhduar edhe projektin për kastrimin e qenve.