Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Ka përfunduar implementimi i projektit “Aplikimi Online për shërbime të Gjendjes Civile në Komunën e Fushë-Kosovës”

2015/10/07 - 12:23

Me qëllim të lehtësimit të procedurave administrative për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës, sot në sallën e Kuvendit Komunal në Fushë-Kosovë, u prezantua projekti i aplikimit online për dokumente të Gjendjes Civile në Komunën e Fushë-Kosovës.

Fjala është për një aplikacion (softuer) që iu mundëson të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës të aplikojnë përmes internetit, për dokumente të Gjendjes Civile, pa qenë e nevojshme të jenë fizikisht në Komunë. Për realizim të këtij projekti, Komuna e Fushë-Kosovës ka siguruar të gjitha pëlqimet e nevojshme nga ARC (Agjencia e Regjistrimit Civil) dhe ASHMDHP (Agjencia Shtetërore për Mbrojtje të të Dhënave Personale).

Të gjithë qytetarët e komunës sonë, të cilët dëshirojnë të pajisen me dokumente të tilla si: Ekstrakti i lindjes, Certifikata e vendbanimit, Certifikata e shtetësisë, Certifikata e martesës etj., aplikimin mund ta bëjnë nga shtëpitë e tyre, duke hyrë në ueb faqe të komunës së Fushë-Kosovës (http://kk.rks-gov.net/fushekosove ). Në këtë uebsajt mund ta gjeni mundësinë ku shkruan “Apliko Online” dhe të vazhdoni me hapat tjerë për t’i plotësuar fushat e nevojshme me kredencialet tuaja për ta bërë aplikimin.

Para shumë të pranishmëve, ky sistem u prezantua në tërësi nga Drejtoresha për Administratë znj.Nurije Fazliu dhe Zyrtari i lartë për Teknologji Informative z.Samir Rashica.

Ky projekt është dëshmi e modernizimit të shërbimeve komunale, digjitalizimit të administratës, ofrimit të shërbimeve administrative më të shpejta, rritjes së performancës komunale etj.

Falë vullnetit dhe gatishmërisë së Kryetarit të Komunës z.Burim Berisha, Komuna e Fushë-Kosovës do të vazhdoj të realizoj edhe projekte të tilla të ngjashme me interes për të gjithë qytetarët.